Rikthimi i shumë çështjeve të mëdha të ngjarjeve nga më të bujshmet ndër vite nga ana e drejtësisë, duket se ka vënë në lëvizje edhe prokurorët për çështje më “të vogla” në dukje, por që mund të jenë “bomba” për nga zhvillimi.
Vetëm dy ditë më parë, “Priza.al” njoftoi rihapjen e hetimeve nga Prokuroria e Tiranës dhe SPAK-u për paditë e ngritura nga qytetarët mbi abuzimet financiare dhe mashtrimet me kreditë e “Fondit Besa”.
Për këtë të fundit disa herë ishin hapur procese gjyqsore, madje edhe nga Prokuroria ishin zhvilluar hetime si dhe ishin vënë në pranga për “shpërdorim detyre”, punonjës të caktuar, por sërish autorët kryesorë ia kishin hedhur “pa lagur”.
Edhe pse “Fondi Besa” prej vitesh përflitej për abuzime, vjedhje dhe pastrim parash, ky fondacion mikrokredie ka vijuar i pa shqetësuar aktivitetin e tij financiar dhe piramidal, duke shtuar përveç sasisë së parave të pastruara dhe numrin e viktimave në radhët e popullatës.
Por jo të gjithë klientët e “Fondit Besa” e kanë ngrënë “karremin” e presionit dhe mashtrimit, ndaj shumë prej tyre kanë zgjedhur rrugën e publikimit të skandaleve, madje edhe të paditjes në Prokurori.
Në këtë linjë ka shkuar edhe “Priza.al” që në muajt e fundit është përfshirë në një maratonë investigimesh dhe publikimesh mbi faktet dhe denoncimet që kanë ardhur nga qytetarët të ndryshëm, të mashtruar nga “Fondi Besa”.
Pikërisht për këtë, dosjet janë hapur sërish nga organet e drejtësisë, në një kohë që prokurorët e denoncuar me emra nga ne, janë ndryshuar dhe tashmë janë nën hetim.
Rinisja e çështjes “Fondi Besa”
Pasi njoftuam rinisjen e procesit të hetimit mbi paditë dhe kallëzimet penale mbi “Fondin Besa”, disa ditë më parë, “Priza.al” ka mësuar sot edhe emrat e prokurorëve të cilëve u janë hequr çështjet pasi ndaj tyre kanë nisur hetime.
Burime nga Prokuroria e Tiranës, i kanë bërë të ditur “Pria.al” se nga dosjet e shqyrtuara më herët për “Fondin Besa” dhe që janë mbyllur “për mungesë provash”, janë hequr prokurorët Ylli Bashaj dhe Enkeleida Millonai.
(Prokurorja e SPAK, Enkeleida Millonai)
Këta dy prokurorë kanë pasur kohët e fundit disa nga kallëzimet ose paditë e ngritura nga qytetarë të ndryshëm për “Fondin Besa”, njëri në Prokurorinë e Tiranës tjetra në SPAK.
Por duke qenë se në këto materiale ishin të përfshirë emra noteresh të njohura të lidhura me politikën, por edhe emrat e krerëve të “Fondit Besa”, të përfshirë në veprimtari pastrimi parash, detyruan prokurorët Bashaj dhe Millonai, që të hiqnin dorë nga hetimet duke i mbyllur çështjet.
Theksojmë se prokurorja Millonai, është prokurore në SPAK, por mbi një kallëzim të një shtetasi kundër “Fondit Besa”, ka heshtur dhe e ka mbyllur çështjen për “mungesë provash”.
Por po e njëjta çështje është lënë në fuqi nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila ka kërkuar që çështja të hetohet dhe jo të mbyllet.
Pse ngurojnë prokurorët përballë “Fondit Besa”
“Fondi Besa” në dukje një institucion mikrofinanciar prestigjioz, është përfolur prej kohësh dhe mbuluar në jo pak raste nga skandale vjedhjesh, abuzimi, pastrimi parash dhe mashtrimi me klientët.
Por vitet e fundit aktiviteti mashtrues dhe ai i pastrimit të parave bashkë me vjedhjen dhe përvetësimin e të dhënave personale shtetasve të ndryshëm shqiptar, ka marrë përmasa kolosale duke “kredhur” në llum edhe banka të nivelit të dytë.
Këto të fundit si rregull duhet të auditoheshin nga Banka e Shqipërisë dhe të kontrolloheshin edhe nga AMF-ja, por në asnjë rast nga këto institucione nuk ka pasur një kontroll. Kjo gjë nuk i ka bërë përshtypje duket as Prokurorisë, edhe pse skema e mashtrimit ka prekur disa mijëra qytetarë në të gjithë vendin.
“Priza.al” ka mësuar sot se një nga çështjet e fundit për “Fondin Besa”, tashmë i ka kaluar për hetim prokurorit Gjergji Tako. Duket se ky i fundit do të rihap hetimet dhe bashkë me kolegët nga SPAK do të rishikojnë paditë dhe kallëzimet e ngritura nga qytetarët kundër “Fondit”.
Nuk dihet nëse ky prokuror do të veprojë një soj si kolegët e tjerë që kanë mbyllur dosjet, apo janë lëkundur përballë emrave të implikuar apo zarfeve të Bajram Muçës, apo Tako do t’i shkoje deri në fund hetimeve dhe provave.
Deri tani në redaksinë e “Priza.al” nuk ka ardhur askush nga prokuroria të kërkojë provat që të mund t’i marrë në administrim. Megjithatë urojmë se këtë herë Prokuroria dhe SPAK do ta nisin punën seriozisht, mbase të ndikuar edhe nga interesi dhe presioni ndërkombëtar që ka qenë i madh mbi çështje sensitive si këto.
Megjithatë, nga ekspertët ligjor dhe prokurorët që kanë dëgjuar për këtë çështje, kemi mësuar se nga materialt që “Priza.al” ka publikuar konstatohet se ka vepër penale dhe se ajo duhet të merret në hetim.
Le të shpresojmë se zarfet e Bajram Muçës nuk do ta blejnë edhe SPAK-un, siç kanë bërë deri tani me prokurorë dhe gjyqtarë të ndryshëm.
/Priza.al/
Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016