Pagat e oficerëve dhe nënoficerëve në Forcat e Armatosura Shqiptare do të rriten në masën 30%. Projektbuxheti në fjalë do të diskutohet në seancën e radhës në komisionin e sigurisë të hënën e ardhshme.
Përveç rritjes së pagave që prekin gjithë efektivët me uniformë të Forcave të Armatosura, në projektligj është edhe një program sa i takon kredive të buta. Oficerët dhe nënoficerët e ushtrisë shqiptare në rast se kanë status ‘të pastrehë’ mund të aplikojnë për të përfituar nga kredia e butë për strehim që ofrohet për ta.
Ushtarakët do të përfitojnë deri në 50 milionë lekë të vjetra, me interes 3% dhe afat kthimi deri ne 25 vjet; ndërsa për ushtaraket te cilët kërkojnë kredi për shtesë të sipërfaqes së banimit deri në 25 milionë lekë të vjetra, me interes 3%, afati i kthimit është deri në 15 vjet. Lista emërore e ushtarakëve përfitues do të miratohet nga Ministri i Mbrojtjes.
Nga ky program mund të përfitojnë ushtarakët aktivë, ata në rezervë apo ushtarakët në lirim ose në pension. Duket se rritja e pagave të ushtarakëve me 30% është rritja më e madhe e pagave në historinë e ushtrisë shqiptare. Rritja e fundit e pagave nga grada më e ulët ushtarë deri tek grada gjeneral u realizua në vitin 2017 në masën 8% deri ne 10%.
/Burimi: BW/