Kryeministri Edi Rama ka njoftuar ditën e sotme se paga mininale do të jetë 40 mijë lekë brenda pak javëve, me synimin që brenda 2 viteve të arrijë në 45 mijë lekë. Aktualisht paga minimale në vend është në nivelin e 34 mijë lekëve.
Në takimin që zhvilloi me 160 studentët përfitues të programit të bursave të studimit sa një pagë minimale e përmuajshme, kreu i qeverisë tha se kjo mbështetje do të reflektohet edhe tek pagesa mujore që do të marrin studentët përfitues që kanë arritur rezultate maksimale në shkollë apo në olimpiada ndërkombëtare dhe ata që kanë zgjedhur një nga programet e shpallura prioritet kombëtar (disa fusha të shkencave humane, mësuesi, shkenca natyrore, matematikë, statistikë, inxhinieri, bujqësi, veterinari, etj.)
Ashtu siç ka njoftuar edhe më parë kryeministri Edi Rama, këta studentë, në momentin që futen në sistemin e financimit do u ndalohet marrja e diplomës për tre vite pasi janë të detyruar të shërbejnë në Shqipëri.
“Dua t’ju them një sekret se jemi këtu midis nesh dhe mbase është gjëja e duhur për të ndarë me ju përpara fjalëve të tjera të rastit që paga minimale shumë shpejt do të shkojë në 40 mijë lekë. Kur them shumë shpejt domethënë çështje disa javësh dhe do të aplikohet për të gjithë brenda shumë pak muajsh. Nuk duam të kemi pagë më të ulët se 40 mijë lekë qoftë në sektorin publik, qoftë edhe atë privat.
Nëse bëmë një përpjekje për të mbështetur 1 milionë shqiptarë nga pensionistët deri te grupet në nevojë, mbeti pa u adresuar pjesa e atyre që kontribuojnë në sektorin privat dhe besojmë që kjo rritje është e duhura dhe jo vetëm kaq por besojmë po ashtu që duke kontribuar edhe ne, qeveria me një mekanizëm që jemi duke përfunduar, paga minimale do të rritet në vijim dhe duam që brenda 2 viteve të shkojë në 45 mijë lekë”, tha Rama.
Rama tregoi edhe idenë e krjimit të një piramide pagash të konkurrueshme për ekspertët e teknologjisë që do të punojnë në shtet. Kreu i qeverisë u shpreh se do të ofrojnë punësimin e të rinjve në sektorin publik si inxhiner të teknologjisë së lartë ndërsa synimi do të jetë që pagat e tyre të jenë pranë shifrës që ofrohet në sektorin privat.