Nga Kim Mehmeti
Më pyesin shpesh pse nuk u përgjigjem atyre që më shajnë, ofendojnë dhe akuzojnë se gjatë dekadave të ish Jugosllavisë, njësoj si tani në demokraci, paskam qenë e keqja e të tjerëve dhe e mira e vetvetes?!
E para unë jam një, e ata që më shajnë janë shumë si dhe, sa do që nuk do e besoni, me ata që më thonë se ia kam pa hairin socializmit qeshem, e me këta që pohojnë se jam atdhetar, demokrat e ‘hoxhë’ i vonuar, zbavitem!
Ndoshta do isha edhe më i keq seç thonë ata, por edhe për të bërë keq duhet të kesh kushte dhe mundësi! E gjatë dekadave të socializmit kam qenë vetëm një gjeometër kurbetçi, i cili e dinte adresën e partisë, por partia nuk e dinte vend ndodhjen e tij dhe, që nuk mund të merrte erë e të punësohej në ndonjë nga mediat e atëhershme shtetërore!
Tërë jetën kamë shkuar e lexuar, kurrë nuk kam qenë as i burgosur politik as i përndjekur, por vetëm pas vitit ’91 kam mundur të punësohem si gazetarë e të bëhem ‘figurë’ publike.
Dhe jo ndër të parët, por kam qenë shqiptari i pari i Maqedonisë (veço Iso Rusin që shkruante vetëm në ato gjuhë) që ka publikuar ‘kolumna’ në shumë gazeta në gjuhën maqedonase dhe në ato sllave ( ‘Dnevnik’, ‘Denes’, ‘Fokus’, ‘Danas’, ‘Vreme’, ‘Jutarnji List’….) kur edhe nisa t’i jetoj dekadat mes të qenurit – për qarqet sllave – ‘shovinist shqiptarë’ dhe për disa mendjendritur shqiptarë, ‘shërbëtor i sllavëve’.
E unë nuk doja të jem as njëra as tjetra, por vetëm një shkrimtar që nuk u frikohet mendimeve të veta duke e ditur se ajo frikë shënon edhe vdekjen tënde si individ i lirë! Dhe i cili jo vetëm gjatë dekadave të socializmit, por as gjatë atyre demokratike – përpos tetë muajve Zëv/drejtor i përgjithshëm i MTV-së – kurrë nuk ka qenë as anëtarë i ndonjë këshilli, le më në ndonjë pozitë që përcakton fatin e të tjerëve.
Pra, tërë jetën, njësoj si edhe tani, me qëndrimet e mia publike, kam mundur ta dëmtoj vetëm vetveten dhe të afërmit e mi.
Sidoqoftë pagabueshmërinë dhe pafajësinë engjëllore, nuk i pranoj: ato u takojnë të tjerëve – përfshi edhe ata që më shajnë – e jo mua!
/Marrë nga profili zyrtar në Facebook/