Presionet për rritjen e pagave në ekonomi janë shtuar si nga kushtet e reja në tregun e punës ashtu edhe nga qeveria, e cila në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale kanë vënë rritjen e pagave si kryefjalë.
Të dhënat nga pagat zyrtare që deklarohen në tatime tregojnë se punonjësit në katër aktivitete kryesore ekonomike e kishin pagën mesatare mujore më të ulët se paga mesatare në shkallë vendi.
Sektori i industrisë, sektori shërbimeve bashkë me transportin, ndërtimi dhe bujqësia në tremujorin e fundit 2022 e kishin pagën mesatare për punonjës nën 66,014 lekë (paga mesatare mujore bruto në shkallë vendi në tetor-dhjetor 2022), sipas INSTAT.
Ndërsa katër aktivitete të tilla si; Tregjet financiare, Informacioni dhe Komunikimi, Administrata Publike, Artet dhe Argëtimi kishin pagën mujore më të lartë se paga mesatare. Edhe administrata publike paguhet mbi mesataren e vendit.
Nivelin më të ulët në raport me pagën mesatare vazhdon ta ketë sektori i bujqësisë. Paga në këtë sektor ishte sa 64.2 për qind e pagës mesatare në tremujorin e fundit të vitit. Paga mujore bruto në bujqësi shënoi 42,428 lekë në tremujorin e fundit dhe pavarësisht rritjes më të lartë se në të gjithë sektorët e tjerë hendeku me pagën mesatare mbetet i lartë.
Pagat mesatare mujore bruto në sektorin e ndërtimit u raportua në 41,025 lekë në tremujorin e fundit të vitit 2022, duke shënuar 77.3% të pagës mesatare.
Sektori i ndërtimit karakterizohet nga një nivel i lartë informaliteti si në punë e zezë si në nëndeklarimin e pagave. Studime të ndryshme kanë treguar se informaliteti në këtë sektor arrin deri në 60%.
Paga mujore mesatare bruto në sektorin e tregtisë, transportit dhe shërbimeve shënoi 53,178 lekë, ose sa 80.5 për qind e pagës mesatare në shkallë vendi.
Në sektorin e industrisë paga mesatare ishte sa 86.5 për qind e pagës mesatare.
Të dhëna të INSTAT tregojnë se rreth 65 për qind e të punësuarve në vend paguhen më pak se mesatarja referuar pagave zyrtare të deklaruara në tatime.
Me 1 prill hyn në fuqi ligji për rritjen e pagës minimale në 40 mijë lekë nga 34 mijë lekë që është aktualisht. Kjo është rritja e tretë në harkun kohor të një viti me një total rreth 33%.
Rritja e pagës minimale do të krijojë një rritje zinxhir në nivelet më të larta, por prodhuesit shqiptare po ankohen për kostot e larta po i bëjnë prodhimet shqiptare jo konkurruese në tregjet ndërkombëtarë./Monitor