“Pagova biletën njësoj si ai”, refuzoi t’i lironte vendin një pasagjeri të bardhë. Nëse Roza Parks do ishte shqiptare…

Deputeti Demokrat Gent Strazimiri ka sjell në nëpërmjet  një postimi në Facebook një shembull frymëzimi të përpjekjeve të jashtëzakonshme të Roza Parks një vajzë afro-amerikane që refuzoj ti bindej ligjit racistë që e diskriminonte duke e fituar të drejtën pas vdekjes.

Strazimir shkruan se: Nëse Roza Parks do kishte qenë shqiptare, nuk jam i sigurt nëse shoqëria nuk do e gjykonte si “një jevgë kokëfortë”, që “refuzon të zbatojë ligjin si të gjithë”, që “për interes personal bëri lëmsh dynjanë”, që “s’i kushtonte asgjë të spostohej dy karrige më andej”… “një e çmendur”…

Postimi i plotë

Në 5 dhjetor 1955, në Montgomery (Alabama) të SHBA, një vajzë e re afro-amerikane, e quajtur Roza Parks, refuzoi t’i lironte vendin ku ishte ulur në autobus një pasagjeri të bardhë me arsyetimin “kam paguar biletën njësoj si ai”…

Veprimi ishte i paligjshëm, i dënueshëm penalisht, çka Rozës iu vu në dukje në mënyrë të përsëritur nga shoferi i autobusit James F. Blake, por ajo refuzoi me vendosmëri në emër të dinjitetit njerëzor…

Po atë ditë u arrestua, u gjykua, dhe u dënua me 10 dollarë gjobë plus 14 dollarë shpenzimet e gjyqit…

Që nga ajo ditë edhe për FBI- në, ajo ishte asgjë më shumë se një “negre e dënuar” por, shoqëria amerikane nuk e mendoi kështu.

“Beteja personale” e Roza Parks, u kthye në betejë të shoqërisë, e luftuar me mosbindje civile dhe bojkot total të linjave të autobusëve të qytetit.

Secili kontribuoi me aq sa mundej, madje edhe taksistët refuzuan të përfitojnë nga situata por vendosën të ulin çmimin e shërbimit duke e barazuar me atë të autobusit…

Kjo zgjati deri në 5 qershor 1956, kur Gjykata e Apelit të distriktit, vendosi që të konsiderojë anti-kushtetues segregimin me 2 vota pro dhe 1 kundër… (?!)

Në 20 dhjetor 1956, Gjykata Supreme e SHBA rikonfirmoi vendimin e Apelit, duke i dhënë fund praktikave raciste të vendosura me ligj.

Roza Parks kaloi në amëshim në moshën 92 vjeçare në vitin 2005, e nderuar me titujt e dekoratat më të larta amerikane, pas një jete plot beteja “personale” përballë “legales” në mbrojtje të së drejtës, të dinjitetit njerëzor.

Trupi i saj u nderua në Kapitol Hill në prezencën e Presidetit George W. Bush dhe të gjithë ish Presidentëve që ishin gjallë.

Nëse Roza Parks do kishte qenë shqiptare, nuk jam i sigurtë nëse shoqëria nuk do e gjykonte si “një jevgë kokëfortë”, që “refuzon të zbatojë ligjin si të gjithë”, që “për interes personal bëri lëmsh dynjanë”, që “s’i kushtonte asgjë të spostohej dy karrige më andej”… “një e çmendur”…

Ca më keq akoma, jam i bindur që “të mençurit” e këtij vendi, do prisnin me durim “çfarë mendimi ka për këtë ambasadori amerikan”, pastaj do flisnin…

Betejat për dinjitet të shoqërive të përparuara, nisin gjithmonë si beteja “personale”, sepse s’ka gjë më personale se dinjiteti…

Shoqëritë në të cilat beteja personale për dinjitet mbetet “personale”, janë shoqëri të palatuara, të padenja për lirinë, sepse liria është në radhë të parë DINJITET!


Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *