Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Fierit, pasi akuzohet se pajisnin drejtuesit e automjeteve me certifikata false të errësimit të xhamave.
Si rezultat i një hetimi disamujor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, policia ka arrestuar shtetasit Vilson Duleviç dhe Xhoniard Aliu.
Gjithashtu, janë pezulluar nga detyra edhe 4 punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor në Fier: Reans Stavre, Ibrahim Nallbani, Mariglen Myrtaj dhe Dervish Xhulaj, të cilët akuzohen për “Shpërdorim detyre”.
Njoftimi i policisë:
Fier/Finalizohet operacioni policor i koduar “Kolaudimi”.
Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare i DVP Fier, si rezultat i një hetimi disamujor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit.
Pajisnin drejtuesit e automjeteve, me certifikata false të errësimit të xhamave, vihen në pranga 2 shtetas, pronarë të 2 bizneseve me këtë aktivitet tregtar.
Pezullohen nga detyra 4 punonjës të Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor, Fier, pasi dyshohet se kanë konsumuar elemente të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Në kuadër të një procedimi penal, të referuar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare i DVP Fier dhe të ndjekur në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, pas një hetimi disamujor, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Kolaudimi”, në kuadër të të cilit u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit:
-V. D., 29 vjeç dhe Xh. A., 32 vjeç, të dy banues në Fier, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, u ekzekutuan masat e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit:
-R. S., 32 vjeç, I. N., 45 vjeç, M. M., 39 vjeç dhe D. Xh., 34 vjeç, të katërt banues në Fier.
Nga veprimet hetimore të kryera, ka rezultuar se shtetasit V. D. dhe Xh. A., përmes bizneseve përkatëse, pajisnin drejtuesit e automjeteve, me certifikata false të errësimit të xhamave, ndërsa 4 punonjësit e pezulluar të Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Trasportit Rrugor Fier, dyshohet se duke pasur dijeni për falsitetin e këtyre certifikatave, vlerësonin automjetet si të rregullta, gjatë kontrolleve që kryenin, në pikat e kolaudimit, në Fier dhe në Lushnjë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, për veprime të mëtejshme.