Ministria e Financave ka aplikuar ndryshime ligjore në ligjin e Procedurave Tatimore, nëpërmjet të cilave Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve merr kompetenca më të forta për të kontrolluar individët e pasur në vend.
Bëhet fjalë për krijimin e një databaze me individët e pasur, të cilët do të jenë subjekt kontrolli për evazion fiskal.
Në relacionin që shoqëron ndryshimin në ligjin e procedurave tatimore Ministria e Financave sqaroi se, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve duhet të ketë kompetencë të kontrollojë individët, për të përcaktuar nëse të ardhurat bruto dhe të tatueshme janë deklaruar në mënyrë të arsyeshme dhe nivel të konsiderueshëm dhe nëse tatimet janë përllogaritur saktë.
Gjithashtu, ky projektligj parashikon ndryshim, për sa i përket procedurave tatimore, lidhur me mundësimin e mbajtjes së një data-baze të plotë të individëve që realizojnë të ardhura të tatueshme në RSH dhe kontrollit të tyre.
Sipas Ministrisë së Financave, ky ndryshim kërkohet për arsye se gjatë kryerjes së kontrolleve tatimore, janë konstatuar të ardhura të padeklaruara të individëve dhe administrata tatimore ka hasur vështirësi referuar bazës ligjore në fuqi për vlerësimet tatimore të këtyre individëve.
Me mbajtjen e këtij regjistri dhe dhënies të së drejtës administratës tatimore për të vepruar kryesisht kur konstatohen mos-deklarime te të ardhurave individuale, do të mundësohet mbledhja e të ardhurave edhe nga kjo kategori tatimpaguesish, referon Ministria e Financave.
Ndryshimet e reja ligjore referojnë se, administrata tatimore mban regjistër të veçantë të individëve sipas të dhënave të gjendjes civile, për efekt të deklarimit nga ana e tyre të të ardhurave individuale të realizuara.
Si numër identifikimi për qëllime tatimore, për tatimpaguesit individ, shërben numri personal i identifikimit, i marrë nga gjendja civile në përputhje me legjislacionin e fushës. Drejtoria e Gjendjes Civile njofton menjëherë administratën tatimore për çdo ndryshim apo përditësim të të dhënave të individëve.
Individët që mbartin detyrimin ligjor të dorëzimit të deklaratës individuale të të ardhurave vjetore, të cilët nuk e përmbushin këtë detyrim, njoftohen nga administrata tatimore me qëllim vete përmbushjen.
Nëse individi nuk përmbush detyrimin, drejtorisë rajonale të tatimeve i lind e drejta të kryejë vlerësimin e detyrimeve tatimore përkatëse dhe të regjistrojë individin./Monitor