Në mesnatë, në Sudan ka hyrë në fuqi një armëpushim 72 orësh. Kjo është hera e tretë që palët arrijnë marrëveshje për ndërprerjen e luftimeve që kur shpërtheu dhuna më herët gjatë këtij muaji, por marrëveshjet e mëhershme të armëpushimit janë shkelur.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se është arritur një marrëveshje midis ushtrisë dhe grupit paramilitar të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë, pas 48 orësh negociata.
Të paktën 400 persona janë vrarë që kur nisën luftimet më 15 prill.
Të dyja palët e përfshira në konflikt kanë njoftuar ndarazi për marrëveshjen e armëpushimit.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka paralajmëruar se dhuna në Sudan rrezikon të shkaktojë një “zjarr shkatërrues” që do të mund të përfshinte të gjithë rajonin dhe më gjerë.
Që kur ka nisur dhuna, banorët e kryeqytetit sudanez, Kartum, janë udhëzuar që të qëndrojnë në shtëpi, teksa ushqimet dhe furnizimet e tjera janë pakësuar.
Bombardimet kanë goditur infrastrukturën kyçe, sikurse tubacionet e ujit, që nënkupton se disa persona janë detyruar që të përdorin ujin e lumit Nil për pije.
Pas njoftimit për armëpushim është rritur shpresa se civilët do të mund të largohen nga kryeqyteti.
Qeveritë e huaja po ashtu shpresojnë se armëpushimi do të mundësojë vazhdimin e evakuimeve të shtetasve të tyre nga Sudani. Shtetet e huaja nxituan që të evakuonin diplomatët dhe civilët në kohën kur luftimet në kryeqytet u intensifikuan.
Dhuna shpërtheu fillimisht në kryeqytet, Kartum, midis fraksioneve rivale ushtarake, që po luftojnë për kontrollin e Sudanit – shtetit të tretë më të madh në Afrikë.
Që nga grusht shteti i vitit 2021, Sudani është udhëhequr nga këshilli i gjeneralëve në krye me dy ushtarakët që aktualisht po luftojnë: gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, që është kreu i forcave të armatosura dhe presidenti i shtetit, dhe zëvendësi i tij, gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, që udhëheq Forcat e Mbështetjes së Shpejtë.
Dy gjeneralët kanë mospajtime lidhur me mënyrën se si shteti do të shkojë drejt sundimit civil.
Mosmarrëveshja kryesore në planin për trazicion ka të bëjë me përfshirjen e 100.000 anëtarëve të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë në ushtrinë e rregullt, dhe se kush do të udhëheqë ushtrinë e re./REL