Një foshnje 5-muajsh është nxjerrë i gjallë nga rrënojat pas një sulmi ajror nga Izraeli brenda një kampi refugjatësh në Gaza, i cili vrau 10 anëtarë të familjes së tij. Fotot e publikuara tregojnë infermieret që mbajnë djalin, i cili ishte gjetur pranë trupit të nënës së tij të ndjerë.
Tensionet në Lindjen e Mesme nuk kanë të ndalur dhe sipas autoriteteve vendase, bilanci i viktimave në Gaza ka shkuar në 126, mes të cilëve 31 janë fëmijë.
Ushtria e Izraelit ka njoftuar se ka bombarduar nga ajri “zyrën operative” të Hamasit, ndërsa Gaza ka rinisur mëngjesin e sotëm hedhjen e raketave drejt jugut të Izraelit, në veçanti në qytetet Ashkelon dhe Ashdod. Sipas Izraelit, shumica e raketave janë kapur nga sistemi Iron Dome (Kupola e Hekurt).