Një ngjarje e shëmtuar dhe mizore është regjistruar në qytetin e Durrësit. Pamjet filmike të publikuara tregojnë momentin kur drejtuesi i mjetit tip ‘Volvo’ me targë AA (965) RC i ka kaluar sipër me makinë një qeni, i cili po qëndronte i shtrirë në tokë.
Në video duket qartë që drejtuesi i mjetit ka vepruar qëllimisht pasi ka patur fushëpamje të pastër dhe e ka kryer veprimin me vetëdije të plotë. Kafsha e gjorë shihet teksa vjen vërdallë nga dhimbjet që drejtuesi i mjetit i ka shkaktuar. Sipas ‘Animal Rescue Albania’, për qenin kujdeseshin banorët e pallatit dhe ai sapo ishte rekuperuar nga një operacion, e si pasojë këmbën e kishte me shufër hekuri. Për më tepër, qeni nuk dëgjonte e nuk ka patur mundësi të reagonte e të shpëtonte nga ky sulm.
Ndërkohë që i gjithë rrjeti ka shpërthyer në kritika pas pamjeve të dhimbshme, nuk ka ende një reagim nga policia për ngjarjen të ndodhur. Theksojmë se legjislacioni shqiptar ka dënime të ashpra për personat që dhunojnë kafshët. Konkretisht, lëndimi i tyre apo plagosja dënohet me burg nga 1 deri në tri vite.
Kujtojmë se në Shqipëri dhuna ndaj kafshëve është kthyer në një shqetësim serioz kohët e fundit, ku kafshët dhunohen pa mëshirë nga qytetarë të papërgjegjshëm.