Kryeministri, Edi Rama ka publikuar pamje para dhe pas rindërtimit të atij që sot quhet “Air Albania Stadium”.
Nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, Rama shkruan se aty ku ndodhej “një kalbësirë urbane në zemër të Tiranës,” tashmë është ngritur një nga stadiumet më të bukur të Evropës.
Sakaq, shton se në të njëjtën vazhdë do të vijojë edhe Teatri i Ri Kombëtar që pritet të ndërtohet pas shembjes dy vite më parë.
“Mirëmëngjes dhe me shpresën se ka akoma nga ju që e kujtojnë kur ju thosha se do të bëjmë një nga stadiumet më të bukur të Europës, aty ku deri para pak vitesh kishte mbetur një kalbësirë urbane në zemër të kryeqytetit, duke ju siguruar se siç u bë stadiumi i finales së sotme europiane një krenari kombëtare në Europë, do të bëhet së shpejti edhe Teatri i Ri Kombëtar, ju uroj të gjithëve ta kaloni bukur këtë ditë të shënuar sportive për të tërë Europën këtu në Tiranë”, shkruan ai.