Panairi i 27-të i Librit, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Shqipëri, hap dyert sot në Pallatin e Kongreseve, nën organizimin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. Motoja e këtij edicioni është: “Të lexosh do të thotë: të jetosh, të zbulosh, të rritesh”.
Panairi, që do të zhvillohet nga 13 deri më 17 nëntor, sjell një gamë të gjerë botimesh të reja dhe ofron mundësi për takime me autorë dhe përkthyes, si dhe tryeza diskutimi mbi përkthimin dhe literaturën. Ndër aktivitetet e programit do të jenë edhe workshop-e dhe seminare për të gjithë ata që duan të thellohen më shumë në botën e librit.
Një veçori e këtij edicioni është edhe “Sofaja e Librit”, një hapësirë ku shkrimtarët mund të ndajnë eksperiencat e tyre me lexuesit dhe kolegët. Panairi i Librit 2024 do të përfundojë me ndarjen e çmimeve letrare për veprat më të shquara të vitit.
Ky edicion ofron mundësi të shkëlqyera për pasionuarit e librit dhe çdo person që do të zbulojë botime të reja dhe do të ketë mundësinë të takohet me personalitete të fushës.