Pas shifrave në rritje të infektimeve, Italia ka vendosur që të shtrëngojë sërish masat. Vendimi është marrë sot nga qeveria italiane, ku bëhet me dije se nga e hëna, datë 15 mars deri në 6 prill, në vend do të ketë disa masa shtesë.
Disa rajone do kalojnë nga ngjyra portokalli, në të kuqe. Për të shmangur grumbulimet e festimet, në periudhën e Pashkëve, 3, 4 dhe 5 prill, vendi do të jetë në një mbyllje totale.
Lidhur me këtë situatë e cila nuk po jep asnjë sinjal pozitiv, ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza, ka deklaruar se dhe rajonet e verdha nga 15 marsi do të kalojnë në regjimin portokalli, dhe masat do të jenë më të forta.
Masat e reja parashikojnë mbylljen e barave dhe restoranteve, shkollat, parukeritë dhe qendrat e bukurisë. Ndërkohë për masat pas datës 6 prill, qeveria pritet të publikojë dekrete të tjera se si do të procedohet më tej.