Trupat amerikane, të cilët janë përgjegjës për aeroportin, qëlluan orët e para të mëngjesit në ajër për të shpërndarë turmën e madhe të afganëve që po mësyjnë nga të gjitha anët aeroportin.
Por duket se nga të shtënat dhe kaosi i shpërthyer që prej së dielës, kur talebanët morën kryeqytetin Kabul, në aeroport ka pasur edhe viktima.
Të paktën pesë persona janë vrarë në aeroportin e Kabulit, ndërsa qindra njerëz u përpoqën të hynin me forcë në aeroplanët që dilnin nga kryeqyteti afgan, thanë dëshmitarët për agjencinë e lajmeve “Reuters”.
Një dëshmitar thotë se ka parë trupat e pesë personave duke u dërguar në një automjet. Një dëshmitar tjetër thotë se nuk është e qartë nëse viktimat janë vrarë nga të shtënat me armë apo nga diçka tjetër.
Sipas “AFP”, mijëra afganë u dyndën njeri mbi tjetrin për të hipur në një avion dhe për të ikur nga Afganistani.
“Ndihem shumë i frikësuar këtu. Ata po gjuajnë shumë në ajër”,- tha një dëshmitar për “AFP”.
Janë shfaqur disa video të njerëzve që vrapojnë në pistat e aeroportit dhe përpiqen të hipin në avionë.
Ka raporte se avionët amerikanë që transportojnë personel diplomatik jashtë vendit, janë duke u dhënë përparësi këtyre, duke shkaktuar zemërim dhe duke çuar në më shumë kaos dhe konfuzion.
/Burimi: Reuters/