Papa Françesku duket se i është rikthyer gjendjes shëndetësore të dikurshme, dhe me shëndetin është rikthyer edhe humori i tij. E tregon këtë më së miri biseda mes tij dhe disa jezuitë sllovakë në Bratislavë, gjatë vizitës së tij zyrtare në atë vend (12-15 shtator). Një pjesë e bisedës u zbardh sot në revistën zyrtare të Jezuitëve dhe nuk mungojnë reflektimet e thella të Jorge Bergoglios, por edhe batutat e tij.
Në fillim të bisedës një jezuit i ri e pyet a ndihet mirë, dhe Papa përgjigjet, me një humor ku nuk mungon një thumb ndaj ambientit të Vatikanit.
“Jam ende gjallë. Edhe pse disa më duan të vdekur. Di që në Vatikan ka patur edhe takime sekrete midis disave që mendonin se isha më rëndë, dhe po përgatisnin konklavën. Lavdi Zotit, por ndihem mirë”, ishin fjalët e tij, që habitën jo pak të pranishmit.
Por Bergoglio u përballë edhe me tema shumë më serioze, për të ardhmen e Kishës por edhe për sfidat e shoqërisë. “Tundimi më i madh i Kishës është ai i rikthimit mbrapsht. Është një ideologji që pushton mendjen. Jeta, na frikëson. Liria na frikëson. Në një botë të kolonizuar nga varësitë dhe virtualiteti, liria na frikëson”, shpjegoi kreu i Kishës Katolike.
Bergolio vijon temën e ideologjive, në një vend që e ka përjetuar komunizmin, dhe e shtjellon atë.
“Ideologjia ka një element joshjeje djallëzor, sepse nuk është e mishëruar. Jetojmë në një qytetërim ideologjik, diçka që duhet të luftojmë në gjenezë. Ideologjia “gender”, përshembull, është e rrezikshme, sepse është abstrakte në raport me jetën konkrete të një personi, sikur një person mund të zgjedhë sipas dëshirës a është femër apo mashkull. Abstraksioni është gjithmonë një problem. Por kjo që po them nuk ka të bëj me qasjen tonë ndaj homoseksualëve. Me çiftet homoseksuale ne duhet të vazhdojmë dialogun dhe rrugën drejt Zotit”, deklaroi ai.
Papa shtoi edhe se shpesh herë e akuzojnë se flet pak për çështjet fetare, dhe shumë për ato sociale.
“Disa thonë se jam komunist. Çudi, se kam shkruar një dokument apostolik si Gaudete et Exsultate”, të tërë vetëm mbi shenjtërimin. Unë shkoj përpara. Jo sepse dua të bëj revolucion. Bej atë që ndjej se duhet bërë. Duhet shumë durim dhe lutje”, u shpreh Bergoglio në takimin sllovak, që po krijon interes dhe reagime në opinionin publik katolik dhe jo vetëm.
/Burimi: Ansa/ Përshtati Priza.al/