Papa Françesku është shtruar në spitalin Gemelli të Romës pasditen e djeshme. Lajmi u konfirmua nga Vatikani përmes një deklarate për shtyp ku thuhej se Ati i Shenjtë po kryente disa kontrolle të planifikuara më parë.
Ndërsa në një deklaratë të dytë u sqarua se Ati i shenjtë kishte pasur vështirësi në frymëmarrje ditët e fundit dhe nga analizat e kryera rezultoi se ai kishte një infeksion respirator, por testimi për Covid-19 kishte rezultuar negativ.
Papa do të qëndrojë disa ditë në spital për tu mbajtur nën kontroll. Përveç një interviste të programuar pasditen e sotme janë anuluar edhe pritjet e planifikuara për të enjten dhe të premten.
Mediat italiane thonë se për momentin gjendja e Papës nuk është shqetësuese. 86-vjeçari tha në një intervistë pak kohë më parë se pas operacionit kishte më pak shqetësime teksa pranoi se problem i vetëm ishte gjuri i tij që e detyronte të lëvizte me shkop ose karrige me rrota.
Ai tha se preferonte të mos e bënte operacion pasi nuk dëshironte të përsëriteshin efektet anësore nga anestezia. Para një jave Papa Françesku mbushi 10 vjet në krye të selisë së shenjtë.