Shkalla e të rinjve as në punësim, as në arsim dhe trajnim (NEET) është një nga sfidat më të mëdha që vendi ynë po has, teksa nga viti në vit vijon të rritet më shumë. 21.5% është përqindja e regjistruar për papunësinë e moshës 15-29 vjeç, një shifër në rritje në fund të vitit 2022.
Paga më të larta, kushte jo të duhura në punë dhe mungesa e trajnimeve janë problematikat që evidentohen për këtë shtresë të shoqërisë. Vet qeveria pranon se niveli i papunësisë tek të rinjtë është shumë i lartë, rreth dy herë më shumë se treguesi për Bashkimin Europian.
Një shifër që tregon se të rinjtë ne një masë të konsiderueshme nuk arrijnë të gjejnë në treg punë që i përgjigjet pritshmërive të tyre, duke mbetur të papërfshirë në aktivitetin ekonomik të vendit dhe të varur ndaj mbështetjes sociale që u jepet nga familja, shteti, të afërmit e tyre në emigracion apo të punësuar në vend.
Si zgjidhje për situatën aktuale qeveria ka miratuar planin e zbatimit të Garancisë Rinore. Teksa evidenton se shkalla e papunësisë dhe pasivitetit tek të rinjtë është shumë e lartë, Garancia Rinore fokusin e saj e ndal tek pagesat e pjesshme të trajnimeve, të cilat cilësohen si më të nevojshmet.
Plani kombëtar për Zbatimin e Garancisë Rinore parashikon disa reforma të ndara në katër faza: hartëzimi, angazhimi, përgatitja dhe ofrimi. Në fazën e parë do të ngrihet një sistem monitorimi për braktisjen e hershme të shkollës dhe do të përforcohet shërbimi i këshillimit në karierë brenda institucioneve arsimore. Faza e dytë përfshin fushata informuese të bazuara në komunitet dhe fushata duke përdorur metoda inovatore angazhimi në rrjete sociale.
Së treti do të zhvillohen instrumente të reja regjistrimi në portalin e AKPA-s. Dhe faza përfundimtare e cila pritet të jetë më e rëndësishmja, do të zhvillohen dhe përshtaten programe për nxitjen e punësimit dhe trajnimit siç janë programe që mbështesin punësimin, programe që ofrojnë arsim të mesëm profesional, pas të mesëm dhe arsim me kohë të pjesshëm dhe programe për trajnim të vazhduar dhe praktika profesionale për rritje të aftësive bazë dhe atyre profesionale./SCAN