Duka i Jorkut, Andrew, do të përballet me gjyqin në SHBA për akuzat për abuzim seksual. Kështu, nëna e tij Mbretëresha Elizabeth ka marrë vendimin e papritur duke i hequr përkatësitë e tij ushtarake dhe patronazhet mbretërore.
Sipas Buckingham Palace, Princi Andrew do ta mbrojë çështjen e tij në gjykatë si një qytetar i thjeshtë dhe s’do të ketë mundësi të përdorë titujt e tij për t’i shpëtuar gjykimit.
Një burim mbretëror tregoi për “Reuters” se Mbretëresha do të rishpërndajë rolet e tij brenda anëtarëve të tjerë të familjes mbretërore.
Ky vendim vjen një ditë pasi një gjykatës amerikan hapi padinë nga Virginia Giuffre, e cila supozon se Princi Andrew e ka përdhunuar atë tre herë kur ajo ishte adoleshente.
Andrew shërbeu në Marinën Mbretërore për 22 vite dhe gjatë kësaj kohe mbajti nëntë role nderi ushtarake. Në vitin 2017, Mbretëresha e emëroi atë kolonel të Gardës Grenadier, një regjiment elitar këmbësorie i Ushtrisë Britanike, një post nderi që dikur mbante babai i tij, Princi Philip.
Andrew nuk ka kryer asnjë detyrë publike në emër të Mbretëreshës që nga viti 2019, kur u tërhoq nga roli i tij si anëtar i lartë i familjes mbretërore mes pasojave për miqësinë e tij me financierin e turpëruar Jeffrey Epstein.
Giuffre, një nga akuzuesit më të zëshëm të Epstein, thotë se Andrew ka abuzuar seksualisht me të në tre raste kur ajo ishte 17 vjeç.
Në gusht, ajo e paditi atë në gjykatën civile në SHBA. Andrew ka thënë se ai është i pafajshëm.
/Priza.al/