Einsteini, që parapëlqente shumë të shpiegonte teoritë e tij të ndërlikuara me analogji të thjeshta nga jeta e përditëshme, e tregon kështu «Paradoksin e Binjakëve» :
Nga dy vëllezerit binjakë të lindur në Tokë, njëri vendosi të qëndrojë aty, ndërsa tjetri u nis për një udhëtim të largët me anije kozmike, që fluturonte me shpejtësi shumë të madhe, të afërt me atë të dritës (300.000 km/sek). Kaluan shumë vite tokësore dhe binjaku që qendroj aty u plak. Gjatë kësaj kohe tokësore, binjaku tjetër, pasi përfundoj udhëtimin e tij nëpër Galaktikë, kur u kthye në Tokë, u habit kur pa vëllain e tij të plakur, ndërkohë që ai dukej shumë më i ri se ai.
Paradoksi buron nga koncepti që kemi për «kohën» në Fizikën klasike, sipas të cilës ajo është një madhësi absolute, që nuk varet nga sistemi i referimit. Pra rrjedha e kohës është e njëjtë si për ngjarjet që ndodhin në Tokë, ashtu edhe për ato që ndodhin në anijen kozmike, pavarësisht shpejtësisë me të cilën ajo fluturon. E kundërt është, në këtë pikë, Teoria e Relativitetit, sipas të cilës «koha» është një madhësi relative, që varet nga sistemi i referimit. Për këtë teori rrjedha e ngjarjeve është e ndryshme për banorët e Tokës, nga ajo e ngjarjeve që ndodhin në anijen kozmike. Diferenca bëhet aq më e theksuar, sa më e madhe është shpejtësia e fluturimit të anijes dhe veçanërisht e ndjeshme bëhet kur kjo shpejtësi i afrohet asaj të dritës. Matematikisht lidhja midis dy kohëve, asaj në Tokë dhe asaj në anije i nënshtrohen një formule të thjeshtë, që na e jep Teoria e Relativitetit:
Kështu, nëse dy vëllezërit binjakë janë 20 vjeçarë dhe njëri prej tyre udhëton në Kozmos për 60 vite tokësore dhe kthehet, ai do t’a gjejë të vëllain 80 vjet, ndërkohë që ai ka mbetur vetëm 25 vjet ! Për këtë mjafton që ai të udhëtojë me shpejtësi v = 0,95c ose 285.000 km/sek.
Ndërsa Teoria e Relativitetit sot është një teori e konfirmuar nga dhjetra fakte apo eksperimente, analogjia, e sjellë prej saj, ende nuk është provuar. Nuk dimë nëse ritmi i vetë jetës ka lidhje me kohën apo shpejtësinë e lëvizjes. Plakja, ndonse ndodh me kalimin e kohës, nuk është koha shkaku i saj ! Megjithatë fizika moderne ka përdorur si «binjakë» grimcat elementare dhe në ciklotrone shumë të fuqishëm është vërtetuar se «jetëgjatesia» e tyre varet nga shpejtësia e lëvizjes të tyre.