Paralajmërohet largimi i barrikadave në veri, Qeveria në pritje të intervenimit të KFOR-it

Gjashtë barrikada janë vendosur që nga e shtuna në drejtim të pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak. Mjete të rënda, janë vendosur në mes të rrugës nacionale që shpie drejt pikëkalimeve kufitare, duke pamundësuar kështu qarkullimin e qytetarëve. Nga Policia e Kosovës, situata është vlerësuar e brishtë, derisa heqjen e bllokadave në veri e kanë paralajmëruar kryeministri Albin Kurti e ministri i punëve të Brendshme Sveçla.

Qarkullimi drejt dy pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë e Bërnjak, nuk është i mundur.

Rrugët që çojnë në këto dy pikë kalime mbeten ende të bllokuara.

Kamionë, autobusë e mjete të tjera u vendosën të shtunën në shenjë revolte ndaj arrestimit të ish-policit serb Dejan Pantiq.

Për dallim nga rruga drejt Jarinjës, në Bërnjak nuk ka ekipe të stacionuara të misioneve ndërkombëtare. Një vëzhgim barrikadës në afërsi të fshatit Zupçe ia bënë dy automjete të KFOR-it. Sipas institucioneve të Kosovës, barrikada si këto gjithsej janë gjashtë. Largimin e tyre e ka paralajmëruar kryeministri Albin Kurti, e ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Por, derisa Kurti një veprim të tillë është duke e pritur nga KFOR-i, Sveçla thotë se Policia e Kosovës do të veprojë në momentin e duhur.

“Ne i bëjmë thirrje edhe njëherë KFOR-it që ta garantojë lirinë e lëvizjes, KFOR-i në Kosovë është për një ambient të qetë dhe të sigurt, i cili nënkupton edhe lirinë e lëvizjes pa dallim. Bllokimi i rrugëve publike me automjete të rënda për ta penguar lirinë e lëvizjes nga bandat kriminale që qëllojnë mbi Policinë tonë e mbi Policinë e EULEX-it…Ne po presim. KFOR-i po kërkon pak kohë që shpejt ta kryejë këtë punë dhe ne po presim”, ka thënë Kurti.

“Patjetër që Policia e Kosovës ka kapacitet e duhura që të veprojë në këtë drejtim, ajo bënë planet e saj operative dhe në momentin që ata e vlerësojnë të duhur, në qoftë se barrikadat nuk hiqen atëherë do të ndërmarrin veprimet e duhura. Gjithë kjo është duke ndodhur me partnerët tanë me KFOR-in, EULEX-in dhe shtetet e QUINT-it dhe unë besoj që shumë shpejt do të mbërrijmë në situatën kur s`do të jetë barrikada në këto dy rrugë nacionale”, ka thënë Sveçla.

Përveç bllokimit të rrugëve, të shtunën mbrëma, ka pasur edhe sulme me armë zjarri e shok bomba në drejtim të Policisë së Kosovës, patrullës së EULEX-it e gazetarëve.

Sipas Policisë së Kosovës, këto veprime kanë bërë që situata të jetë e tensionuar, derisa të dielën atë e ka cilësuar të brishtë.

“Përderisa edhe sot vazhdojnë bllokimet e rrugëve në drejtim të dy Pikë Kalimeve Kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, Policia e Kosovës siç e ka bërë të ditur si masë paraprake të sigurisë ka mbyllur përkohësisht për qarkullim këto dy pika kufitare, të cilat vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe sot. Një situatë e brishtë ka vazhduar edhe gjatë natës, e tillë vazhdon të jetë edhe sot, andaj Policia e Kosovës sipas detyrës zyrtare, po vazhdon fuqishëm angazhimet e saj me njësitet policore, në ofrim të sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallime, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, si dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të personave të dyshuar të involvuar në veprimtari kriminale”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Ish-polici Dejan Pantiq, është arrestuar nën dyshimin se ka marrë pjesë në sulmin ndaj zyrave të komisioneve komunale zgjedhore e pjesëtarëve të policisë në veri të vendit, në fillim të dhjetorit.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *