Paralajmëron Von der Leyen: Europa duhet të përgatitet për ndërprerje të gazit rus herët a vonë

Europa duhet të përgatitet për një ndërprerje të plotë të gazit natyror rus herët a vonë, paralajmëroi presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në një intervistë me Agjencinë Gjermane të Lajmeve (DPA).

“Aktualisht, Rusia po furnizon vetëm pjesërisht gaz natyror, ose aspak, 12 shtete anëtare të BE-së. Prandaj, Evropa duhet të përgatitet për skenarin më të keq: një ndërprerje të plotë të furnizimeve me gaz natyror, herët a vonë”, tha Von der Leyen.

Presidentja e Komisionit u bëri thirrje vendeve që janë më pak të varura nga furnizimet me gaz natyror rus që të bashkojnë gjithashtu përpjekjet për të kursyer energjinë.

“Edhe shtetet anëtare, të cilat nuk marrin pothuajse fare gaz natyror nga Rusia, nuk mund të shmangin pasojat e një ndërprerjeje të mundshme të furnizimit në tregun tonë të brendshëm. Ekonomitë në Bashkimin Evropian janë të ndërlidhura ngushtë dhe kriza e gazit natyror do të prekë të gjitha vendet anëtare në një formë ose në një tjetër”, tha von der Leyen.

“Prandaj, është e rëndësishme që të gjitha shtetet anëtare të reduktojnë konsumin e tyre në mënyrë që të gjithë të kursejnë më shumë gaz dhe ta ndajnë atë me ata anëtarë që kanë vuajtur më shumë”, theksoi Presidentja e Komisionit Evropian, duke shtuar se solidariteti energjetik është një parim bazë i traktateve evropiane.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *