Më 30 korrik 1993, shefit të opozitës së atëhershme dhe kryetarit të PS-së, Fatos Nano, iu hodhën prangat nën akuzat për korrupsion nga regjimi i ri demokratik i Sali Berishes, i porsa ardhur në pushtet më 22 mars 1992. Por kësaj here është Edi Rama ai që po kërkon të futë në burg Sali Berishen, me të njëjtën akuzë, për të njëjtat motive dhe me po të njëjtën mbështetje amerikane. Paralelizmi, sipas meje, është thuajse i plotë.
– PD-ja dhe Berisha, vetëm 6 muaj pas ardhjes në pushtet, pësuan një humbje të papritur në zgjedhjet lokale të korrikut 1992. Socialistët, deri atëherë të tulatur e të pashpresë, ndjenë erën e revanshit dhe filluan të aktivizohen. Veçanërisht aktiv u tregua Fatos Nono, duke kërkuar deri zgjedhje të parakohshme. Kjo i alarmoi demokratët dhe amerikanët që qëndronin pas tyre.
Edhe socialistët e sotëm, ndonëse i fituan zgjedhjet e 25 prillit 2021, brishtësia e kësaj fitore të kontestuar i bindi se duhet të prodhonin një ngjarje madhore për ta stepur, frikësuar dhe sidomos përçarë opozitën. Ky ishte inkriminimi i Berishës nga “non grata” amerikane.
– Dosja ‘Nano’ për abuzimet me ndihmat italiane të 1991-shit u iniciua nga Blerim Cela, kryetar i Kontrolli të Lartë të Shtetit të kohës, eksponent i lartë i PD-së dhe njeri i afërt me Berishën. Rolin e tij, me sa duket sot, kërkohet që ta luajë – SPAK-u, i krijuar posaçërisht për të dënuar korrupsionin e lartë të pushtetarëve, jo vetëm aktualë por edhe të atyre të kaluar.
– Ashtu si sulmonte në atë kohë Nano, regjimin anadollak e bajraktaresk të Berishës dhe Gazidedes ashtu po sulmon sot Berisha Edi Ramën, si arkitektin e narko-shtetit, të lidhur me mafien dhe krimin e organizuar.
– Nano, duke e parë mbështetjen e hapur amerikane për Berishën, sidomos nga ambasadori i kohës Rajerson dhe diplomati Kris Hill, i akuzoj drejtpërdrejt ata si persona që po shkelnin sovranitetin e shtetit, shumë ngjashëm me sulmet e sotme të Berishës që sheh hapur ndërhyrjen amerikane në favor të Edi Rames.
– Tridhjetë vjet më parë, Berisha dhe amerikanët, e panë si më të arsyeshme burgosjen e Fatos Nanos për të dekurajuar të majtën agresive të kohës, ngjashmërish me atë që po ndodh sot, kur Rama dhe amerikanët po shqyrtojnë mundësinë dhe dobinë e arrestimit dhe burgosjes të Berishës për të stabilizuar pushtetin e lëkundur moralisht të Edi Rames. Fakti që edhe Ilir Meta, pas korrikut, kur të lerë Presidencën mendohet se do të drejtojë LSI-në dhe bëjë aleancë me Berishën, e përforcon më shumë këtë konkluzion.
– Burgosja e Nanos nuk solli rezultatin e pritur dhe kjo u shndërrua në bumerang për Berishën. Ka gjasa që të ndodhë e njëjta gjë me Ramën dhe amerikanët nëse prangosin Berishën.
Të ndodh vërtet kështu?