27-vjeçari me iniciale A.Y. është vënë në prangat e policisë së Vlorës pasi po udhëtonte me armë zjarri me vete ndërsa në makinë iu gjet edhe një sasi lënde narkotike tip kokainë.
Policia bën me dije se ka dyshime se ai ishte nisur drejt banesës së familjarëve të bashkëshortes së tij, pasi kjo e fundit ishte zhvendosur prej disa kohësh në shtëpinë e tyre.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Alert”, si rezultat i inteligjencës informative të administruar nga Komisariati i Policisë Vlorë.
Me pistoletë dhe sasi kokaine në automjet, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 27-vjeçari.
Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë dhe sasia e lëndës narkotike kokainë.
Shërbimet e Seksionit të Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, si rezultat i punës së pandërprerë në terren, për kapjen e shtetasve që qarkullojnë me armë zjarri dhe për pasojë cenojnë rendin dhe sigurinë publike, kanë siguruar informacion se një shtetas i armatosur po vinte drejt Vlorës dhe se mund të kryente një krim të rëndë. Në bazë të këtyre informacioneve shërbimet e Policisië kanë organizuar menjëherë punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Alert”.
Në kuadër të këtij operacioni, në autostradën e Vlorës, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll automjetin tip “Porsche”, me drejtues shtetasin A. Y. Gjatë kontrollit në këtë automjet është gjetur një armë zjarri pistoletë tip “Zastava” dhe një sasi lënde narkotike kokainë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin që drejtonte ky shtetas.
Nga hetimet paraprake dyshohet se shtetasi A. Y. po udhëtonte i armatosur drejt Vlorës, për t’u konfliktuar me familjarët e bashkëshortes së tij, në banesën e të cilëve jetonte prej disa kohësh edhe bashkëshortja e këtij shtetasi.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi A. Y, 27 vjeç, banues në Fier, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.