Për fundjavën që presim përpara vendi ynë do të ketë luhatje të forta sa i përket kushteve atmosferike.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak ditën e shtunë vendi do të ndikohet nga kushte relativisht të qëndrueshme edhe pse pritet depërtimi gradual i masave ajrore të lagështa dhe të ftohta me origjinë veriperëndimore.
“Moti parashikohet fillimisht me kthjellime e vranësira kalimtare ndërsa duke nisur nga orët e pasdites dhe kryesisht orët e vona të mbrëmjes shtim vranësirash deri të dendura. Këto vranësira do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët dhe kryesisht mesatar në një pjesë të madhe të territorit. Në zonën e jugut reshjet në periudha afatshkurtra me intensitet deri të lartë në formën e rrebesheve dhe stuhive shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe breshër. Në relievet malore në lartësitë mbi 700-800 nisin reshjet e dëborës”, njofton SHMU.