Parashikimi për Gjermaninë/ Viti 2021, me pritshmëri të ulëta, i ardhshmi do të risjell ‘bollëk’ ekonomik

Ministri gjerman i Ekonomisë nuk pret ndonjë rimëkëmbje të dukshme ekonomike para vitit 2022. Pasojat e pandemisë Corona edhe më tej janë shumë të mëdha.

Sipas ministrit federal të Ekonomisë në detyrë, Peter Altmaier, rritja e numrit të infeksioneve me Corona mund të zbehë edhe rritjen ekonomike – madje edhe pa ndonjë Lockdown të ri.

“Ne kemi para nesh një dimër të dytë pandemik”,- tha politikani i CDU në Berlin, në prezantimin e parashikimeve vjeshtore për gjendjen ekonomike në vend.

Ai mendon se Gjermania nuk do të ketë nevojë për ndonjë Lockdown të ri. Por numri i lartë i infektimeve mund të “ketë efekte negative ekonomike”.

Në prill, qeveria federale parashikonte një rritje ekonomike prej 3.5 për qind për këtë vit. Por ndërkohë janë ulur pritjet. Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) do të rritet vetëm me 2,6 përqind. Ndërsa vitin e ardhshëm parashikohet një rritje prej 4,1 përqind. Në vitin 2023 parashikohet një rritje prej 1.6 përqind.

Në parashikimet e qeverisë federale thuhet “se Gjermania është kthyer në rrugën e rritjes ekonomike pas krizës së Coronas”,- tha Altmaier.

Por këtë vit, “duke pasur parasysh pengesat aktuale me pajisje dhe çmimet e larta të energjisë në mbarë botën, rritja e pritur nuk do të arrihet,” shtoi ai. Në vitin 2022 ekonomia do të “shënojë një rritje shumë më të vrullshme”.

Altmaier

Fundi i inflacionit

Rritja ekonomike është ngadalësuar kryesisht për shkak të pengesave me mungesën e lëndëve të para për punë. Altmaier foli për një mungesë historike të mallrave. Ai vuri në dukje se prodhuesit gjermanë të automjeteve aktualisht nuk janë në gjendje të bëjnë gati qindra mijëra makina për shkak të mungesës së komponentëve elektronikë.

Kërkesa për produkte gjermane në tregjet botërore mbetet e lartë: “Nëse pengesat me pjesë të makinave zvogëlohen, në vitin 2022 do të ketë një rritje të dukshme.”

Qeveria federale pret gjithashtu që norma e inflacionit të arrijë përsëri një nivel dukshëm më të ulët deri në fund të vitit 2021/22 – sepse atëherë nuk do të zbatohen më faktorë të veçantë, siç është tërheqja e uljes së përkohshme të TVSH-së në gjysmën e dytë të vitit 2020.

Kjo po reflektohet në rritjen e inflacionit. Normat e rregullta të TVSH-së kanë hyrë sërish në fuqi që nga janari, ndaj shërbimet shtrenjtohen. Për vjeshtën qeveria federale pret norma inflacioni prej 3,0 përqind në 2021 dhe 2,2 për qind në vitin 2022. Në shtator, norma e inflacionit, e nxitur mbi të gjitha nga kostot më të larta të energjisë, ishte 4,1 për qind.

Nuk ka ngritje ekonomike pa furnizime

Instituti Gjerman për Kërkime Ekonomike (DIW) gjithashtu pret që rritja ekonomike të humbasë fuqinë e parashikuar, për shkak të pengesave me pjesë dhe pajisje, si dhe rritjes së numrit të infektimeve me virusin Corona.

Barometri ekonomik DIW për tremujorin e katërt ka shënuar rënie me gjashtë pikë dhe tani është 101 pikë krahasuar me verën, njoftuan të mërkurën studiuesit e Berlinit. Kjo tregon se rritja ekonomike do të jetë më e ulët sesa parashikohej në verë.

“Duke pasur parasysh faktin se kapacitetet prodhuese të ekonomisë gjermane nuk po shfrytëzohen sa duhet, edhe rritja e prodhimit ekonomik do të jetë e ulët deri në fund të vitit”,- tha eksperti i DIW Simon Junker.

“Kjo është kryesisht për shkak të pengesave të furnizimit global, të cilat po hedhin pluhur në ingranazhet e industrisë – megjithëse situata me porositë është vërtetë e mirë”. Në mungesë të mallrave mendohet se rritja ekonomike do të jetë më e ulët edhe në tremujorin e katërt.

Për shkak të rritjes së infeksioneve me Corona, shërbimet me kontakte fizike si restorantet, nuk do të mund të zgjerohen. Kjo do të manifestohet edhe në tregun e punës. Rritja e punësimit mbase do të vazhdojë, ndonëse me një ritëm shumë më të dobët sesa në muajt e mëparshëm. “Nëse mungesa e materialit ulet gradualisht, industria do të jetë në gjendje t’i realizojë më shpejt kërkesat”,- tha Junker.

/Burimi: DW/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *