Paratë e agjencive ruse kanë ‘rrëshqitur’ nga Kosova drejt Shqipërisë/ A është e përfshirë edhe ‘Iute Credeit’ në këtë operacion?

Dy shtete të rajonit tonë dhe fqinje me Shqipërinë, Maqedonia e Veriut dhe Kosova, prej disa kohësh janë vënën nën shënjestër e institucioneve të financimit rus, me qëllim injektimin në ekonomitë e këtyre vendeve të kapitaleve ruse.

Objektivi i këtyre investimeve nuk është i qartë, por referuar raporteve të agjencive amerikane dhe atyre Perëndimore, para me origjinë të dyshimtë si të qeverisë ruse ashtu dhe të mafies së këtij vendi, kanë pasur për objektiv pastrimin në Ballkan.

Por agjencitë amerikane të inteligjencës kanë shkuar edhe më tej, duke bërë dhe publikuar deri raporte, ku flitej se si pasojë e këtyre financimeve sekrete, synohet në forma të ndryshme destabilizimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor nga Rusia.

Pas Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, edhe në Malin e Zi, ku në 10 vitet e fundit ka pasur një bum investimesh ruse, sidomos në sektorin e turizmit, ka nisur edhe aty një hetim mbi origjinën e shumë financimeve.

E vetmja që ka mbetur jashtë kësaj “valleje” është Shqipëria, ku duket sikur agjencitë ligjzbatuese shtetërore ose janë në “gjumë”, ose janë tepër të sigurta se këtu nuk mund të penetrojnë financime të tilla.

Këtë të bën ta mendosh edhe fakti se në vitet e fundit dhe sidomos pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste, me ndihmën edhe të partnerëve ndërkombëtar, agjencitë shqiptare të inteligjencës zhvilluan një “gjueti shtrigash” të paktën në dukje, ndaj interesave ruse në këtë vend por edhe ndaj diplomatëve të këtij shteti.

Por edhe pse nga Shqipëria janë ndjekur dhe dëbuar diplomatë rus, asnjëherë autoritetet nuk janë thelluar në hetime sidomos në sektorin financiar.

Por referuar investigimeve të publikuara vitin e fundit në mediat kosovare, kupton se shumë kompani dhe skema financiare që më herët ishin përqendruar në Kosovë e Maqedoninë e Veriut, me origjinë nga financimet ruse, tani kanë “rrëshqitur” edhe drejt Shqipërisë.

Miliona të dyshimta në tregun financiar të Kosovës | inFokus

A është “IuteCredit Albania” një investim rus?

Hetueesit më të mirë në botë dhe investigatorët thonë se “për të zbuluar lidhjet dhe burimet e krimit, mjafton të ndjekësh lumenjtë e parave”.

Kjo gjë nuk ka ndodhur në Shqipëri, por mediat kosovare duket se kanë kohë që po e bëjnë një punë të tillë. “Priza.al” i referohet edhe sot një investigimi të kryer vitin e fundit nga “Insajderi.com”, i cili fliste qartë dhe pastër për skemat e financimeve ruse në Kosovë, duke përmendur si një prej elementëve kryesorë kalimin e parave te “IuteCredit Kosovë” që rridhnin nga “IuteCredit Europe”.

“Insajderi.com” ka shkuar edhe më tej duke zbuluar se, pronarë të “IuteCredit Europe” janë Tramo Sild dhe Allar Niinepuu. I pari shef ekzekutiv “CEO” dhe Allar Niinepuu, shef i bordit drejtues.

Në lidhje me këtë, në një reagim të “IuteCredit Europe”, të 3 dhjetorit 2019, thuhej se aksioner kryesor i “IuteCredit” është kompania “Alarmo Kapital” me 89.81% të aksioneve.

Por sipas medias kosovare, ky reagim dëshmon për lidhjen e “Alarmo Kapital” me personat Tarmo Sild dhe Allar Niinepeuu me “IuteCredit Europe”. Këta persona sipas mediave kosovare, nuk ishin vetëm aksionerë të thjeshtë në institucione financiare, por nga dokumentet e hulumtuara del se ata ishin edhe aksioner në kompani që tregtonin armatime ruse nëpër tregjet e botës, përfshi edhe atë të Ballkanit.

Sipas “Insajderi.com”, subjekti juridik “ALARMO KAPITAL OU”, ka lidhje me subjektin juridik “ARCO VARA”. “ALARMO KAPITAL OU” rezulton se është aksionari i 27% të aksioneve në subjektin juridik “ACRO VARA”.

Ky subjekt juridik është marrë me transportimin e mjeteve luftarake si municione dhe eksploziv, përmes transportit detar nga Libia, Tunizia, Italia, Greqia, Kroacia dhe Ukraina.

Në vitin 2013 subjekti juridik “ARCO VERA”, është shitur për 650,000 euro. Kjo shumë konsiderohet e vogël po ta krahasosh me veprimtarinë e saj të madhe në sektorin e armatimit.

Shefi ekzekutiv apo drejtori i këtij konsorciumi është pikërisht Tarmo Sild, njëri nga pronarët e “IuteCredit JSC” dhe “Iute Credit Europe”.

Ndërkohë, subjekti “ACRO VARA”, përveç Estonisë operon edhe në shtet tjera si Lituania dhe Bullgaria, ku veprimtaria kryesore e tij është shitblerja e pasurive të patundshme dhe ndërtimi i objekteve për banim kolektiv, pra pallate.

Projektet e këtij subjekti janë financuar nga banka të ndryshme. I fundit projekt është ai i dy subjekteve rezidenciale që kanë nisur të ndërtohen në Talin dhe Tartu të Estonisë. Ky projekt po financohet nga “CoopPank AS”.

Sipas dokumenteve dhe të dhënave që ka siguruar “Insajderi.com”, “CoopPank AS” deri në fund të vitit 2018 ishte në listën e atyre subjekteve që prekeshin nga sanksionet e Departamentit amerikan të Thesarit.

Arsyeja pse “CoopPank” është futur në listën e sanksioneve ka të bëjë me faktin se është i lidhur me regjimin e presidentit rus, Vladimir Putin. Kjo kompani ka aksione edhe në Bankën e Moskës.

Miliona të dyshimta në tregun financiar të Kosovës

Paratë nga offshoret dhe agjencitë ruse rrjedhin drejt “IuteCredit”  

Sipas një lidhje analitike që mediat kosovare i bëjnë “IuteCredit”, del se ajo ka lidhje direkte me kompaninë “Firebird Republics Found LTD”, që është një fond privat, sovran i investimeve kapitale në ish-shtete të Bashkimit Sovjetik dhe Evropën Lindore.

Nga informatat e mbledhura, “Firebird Republics Fund LTD”, është regjistruar në një juridiksion “offshore”, më saktësisht në Cayman Island (ishujt Kaiman), në adresën e subjektit “Trident Trust”.

Kutia postare e saj është e njëjtë me “Trident Trust”, që tregon se janë të njëjta. Pos kësaj, edhe numri i telefonit kontaktues është i njëjtë i të dy kompanive.

“Triden Trust” është një kompani që ka degët e saj në gjitha vendet “offshore” dhe konsiderohen parajsa fiskale ku privatësia e pronarëve përfitues është problem për t’u zbuluar. Shtetet ku operon “Trident Trust” janë “Ishujt e Virgjër Britanik” (Britsh Virgjin Islands), Qipro, Caymen Islands, Bahamas, Belize, etj.

Dokumentet e siguruara nga “Insajderi.com”, tregojnë se “Trident Trust” është e lidhur me “PsyGroup”, e cila lidhet me figura politike të afërta me presidentin rus, Vladimir Putin dhe oligarkë rusë.

Lidhjet e “PsyGroup” çojnë në degën e “Trident Trust” të Qipros. “Protexer” është degëzuar me 15 filialet e tjerë të “Trident” në Qipro, një ofrues i shërbimeve për korporatat, besimi dhe administrimi fondesh për sektorin e shërbimeve financiare etj.

“Trident” ofron shërbime për mijëra kompani në të gjithë botën, por dega e saj në Qipro, vepron si aksioner i vetëm në 16 kompani në Qipro dhe Ishujt e Virgjër Britanikë. Të gjitha këto kompani kanë lidhje me bankat ruse.

Pronari i “PsyGroup”, është “IOCO Limited” në Qipro. Para se të kishte në pronësi të “Protexer”, IOCO ishte në pronësi të “Prime Nominees Limited” dhe “Sea Holdings Limited”, të regjistruara në Ishujt e Virgjër Britanikë.

Mediat ndërkombëtare kanë raportuar se kompania mëmë e “PsyGroup” është regjistruar në Ishujt e Virgjër Britanikë e quajtur “Protexer Limited”. Të gjitha lidhjet e tyre të dërgojnë në Rusi.

Kompania “Protexer”, është e lidhur me “Financial Service Limited”, e cila kontrollohet nga “Grupi Metropol” në Moskë, një konsorcium rus me kapital shumë miliardë dollarësh.

Megjithëse nuk konsiderohet si një nga oligarkët kryesor të Rusisë të lidhur me Putin, Mikhail Slipenchuk është i lidhur mirë në botën e biznesit dhe politikës në Rusisë.

Kontrolli i Slipenchuk mbi “MGTM”, zbulon kontrollin e tij mbi “Metropol” dhe kompaninë mëmë “PsyGroup”, e “Protexer”.

Bazuar në dokumentet e “Insajderit”, subjekti juridik “Firebird Republics Found LTD”, aksionar i së cilës është “Acro Vara”, menaxhohet nga Tarmo Sild, pronari i “IuteCredit Europe”. Ai ka pasur marrëdhënie biznesi me “LM Moor SpIvensment” dhe me “SV Company LTD”.

Subjekti “LM Moor SpIvensment”, është një subjekt i hapur në një territor “Offshore” dhe i njëjti është zbuluar në aferën e “PanamaPapers”. Sipas informatave të siguruara nga baza e të dhënave të “PanamaPapers”, subjekti juridik “LM Moor Sp Ivensment”, është aksionar në “Ros Euro Development Holdin Corporateion”. Aksionar tjerë dhe drejtor në subjektin juridik “Ros Euro Development Holding Corporateion”, është Grishin Sergey.

Ky i fundit është një ish-bankier kontrovers i përfshirë në aktivitetet të ndryshme që ndërlidhen me skema të subjekteve të ndryshme ruse. Ai, në vitin 2018 ka kërkuar nga presidenti amerikan, Donalt Trump, që në këmbim të shtetësisë amerikane t’i ofrojë informacione të shumta që kanë të bëjnë me krimin e organizuar rus dhe politikanët rusë.

Sergey, sipas Projektit për Raportim të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, së bashku me subjektin “Ros Bank Euro”, të cilën e ka drejtuar, kanë pasur rol kryesor në të ashtuquajturën “Russina Landromat”.

Të gjitha këto kompani dhe lidhje të padukshme, të shpien në Kosovë me subjektet e mbyllura, “Monego” dhe IuteCredit”, por pas largimit nga ky shtet dhe Maqedonia e Veriut, duket se këto subjekte kanë zënë rrënjë në Shqipëri, ku skandali me institucionet e mikrofinancimit sapo ka nisur të shpërthejë.

Vijon….

/Burimi: Insajderi.com/Përpunoi: Priza.al/

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *