Viti i kaluar që u konsiderua si vit krize për ekonominë e vendit për shkak të pandemisë, uli edhe financimet qeveritare për projekte të caktuara. Disa prej PPP-ve të famshme që gëlltitën për gati dy mandate radhazi paratë e shqiptarëve, u lanë pa financuar, por jo disa investitor të tjerë, që me sa duket edhe gjatë vitit të pandemisë ishin të “privilegjuarit” e qeverisë.
Ministria e Financave ka paguar nga buxheti i shtetit për kontratat koncesionare me Partneritet Publik Privat gjatë vitit 2020 mbi 9,6 miliardë lekë ose 78 milionë euro, nga 13.7 miliardë lekë që pagoi gjatë vitit 2019, me një tkurrje prej 29%.
Pagesat ishin 4 miliardë lekë më të ulëta se në vitin 2019, kryesisht si rrjedhojë e përfundimit të shlyerjes së pagesave ndaj koncesionarit të HEC-ve me lumin Devoll me rreth 1,5 miliardë lekë dhe uljes së pagesave për koncesionin e sterilizimit si rrjedhojë e reduktimit të ndërhyrjeve kirurgjikale për shkak të pandemisë Covid-19, ku u pezulluan ndërhyrjet kirurgjikale të planifikuara.
“Rruga e Kombit” dhe Inceneratori i Tiranës, dy më të financuarit
Kush tha se qeveria nuk pati para për të financuar projekte edhe në vitin e pandemisë…?! Për disa të privilegjuar paratë nuk munguan as në kohë krize, madje as në një vit siç ishte ai 2020, kur gjithë bota mbajti frymën prej flamës globale.
Por qeveria socialiste nuk e rrudhi dorën kur bie fjala për investitorë “VIP”, siç ishin Klodian Zoto i “Integrated Technology Services”, apo kompania që administron koncesionin e “Rrugës së Kombit”, për të cilën u tha se në vitin e pandemisë i ranë fitimet dhe këtë gjë duhet t’ja kompensonte shteti shqiptar (sipas marrëveshjes), nga paratë e taksapaguesve.
Kështu referuar të dhënave të publikuara nga “Monitor”, pagesat për koncesionin e “Rrugës së Kombit” si pasojë e kompensimit të trafikut të munguar erdhën më rritje, teksa u rriten edhe pagesat për inceneratorin e Tiranës me mbi 31% (shih tabelën bashkëngjitur).
Koncensioni i “Rrugës së Kombit” mori nga buxheti 6.5 milionë euro financime, me një rritje 42% në raport me vitin 2019, si pasojë e trafikut të munguar gjatë vitit pandemik.
Ministria e Financave vitin e kaluar anuloi pagesat për disa koncesione PPP, me qëllim për të kanalizuar fondet për përballimin e emergjencës Covid-19.
Koncesioni që pati edhe financimin më të madh nga buxheti i shtetit ishte “Ndërtimi i Rrugës së Arbrit” me 2,7 miliardë lekë ose 21 milionë euro, me një ulje të financimit me rreth 31% në krahasim me vitin 2019.
PPP-ja e dytë më e financuar gjatë vitit të pandemisë, ishte shërbimi i sterilizimit në spitale, ku u disbursuan 1,3 miliardë lekë ose 40% më pak se viti 2019. Kjo rënie erdhi si rrjedhojë e uljes së numrit të operacioneve në spitale, nga kufizimet pandemike.
Sa para mori Inceneratori i Klodian Zotos
Inceneratori i Tiranës, në vartësi të kompanisë “Integrated Technology Services” me përfaqësues biznesmenin e shumëpërfolur Klodian Zoto, ishte PPP-ja e tretë më e financuar me rreth 10 milionë euro për vitin 2020.
Ky financim erdhi me një rritje të fondeve më 31%, në raport me vitin 2019. Në tërësi pagesat për inceneratorët u rritën me 11% nga qeveria gjatë vitit të kaluar, si rrjedhojë e rritjes së pagesave për njësinë e Tiranës.
Inceneratori i Fierit mori të gjitha financimet e planifikuara prej 752 milionë lekësh (6,11 mln euro), shumë e njëjtë si në vitin e kaluar.
Inceneratori i Elbasanit mori 586 milionë lekë financime, me ulje 7% nga viti 2019.
Për shërbimin e dializës u dhanë 733 milionë lekë ose 9% më pak se në vitin 2019, teksa ishte viti i parë që nisi pagesa për koncesionin e shërbimeve laboratorike. Shërbimi laboratorik në spitale nisi të funksionojë në fund të vitit të kaluar dhe u financua vetëm me 30 milionë lekë.
Vitin e kaluar u shuan pagesat për financimin e infrastrukturës zëvendësuese në lumin Devoll pasi pagesat që ishin rreth 1.5 miliardë lekë në vit përfunduan në vitin 2019.
Pagesat faktike për vitin 2020, në total rezultuan në rreth 9.63 miliardë lekë ose 99% e planit vjetor 2020, të ndryshuar.
Kufiri i lejuar i pagesave neto për kontratat koncesionare/PPP, prej 5%i të ardhurave tatimore faktike të vitit 2019, përllogaritet në rreth 21.3 miliardë lekë. Vlera e realizuar përbën 2.26 për qind të totalit te të ardhurave tatimore faktike të vitit 2019, prej rreth 426.27 miliardë lekë.
/Burimi: Monitor.al/