Një punonjës i policisë së Lezhës është dënuar me 2 mijë lekë gjobë dhe ndaj tij ka filluar ecuria disiplinore, për shkelje dhe cenim të imazhit të Policisë së Shtetit, pasi ka parkuar makinën e shërbimit tek vizat e bardha dhe më pas fotoja është shpërndarë në rrjetet sociale.
Lajmin për këta e ka dhënë drejtoria e Policisë së Shtetit, e cila ka falënderuar mediat dhe i fton këto të fundit që të denoncojnë raste të tjera të paligjshmërisë.
Reagim i Policisë Lezhë:
Në lidhje me një foto të postuar në rrjetet sociale, e cila bën fjalë për një rast denoncimi të një qytetari, për parkimin e automjetit të Policisë, në vijat e bardha, në qytet Lezhë, ju sqarojme se:
Shërbimet e Policisë Rrugore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë kanë kryer menjëherë verifikimet dhe kanë ndëshkuar me masë administrative (gjobë), me vlerë 2000 lekë, për shkeljen rrugore “Ndalimi i qëndrimit dhe pushimit të mjeteve”, parashikuar nga neni 156/1/g i Kodit Rrugor, punonjësin e Policisë që ka pushuar mjetin, në vendin që tregohet në foto.
Gjithashtu, ndaj punonjësit të Policisë, inspektor A. D. ka filluar ecuria disiplinore, për shkelje dhe cenim të imazhit të Policisë së Shtetit, bazuar në Rregulloren e Policisë së Shtetit, miratuar me VKM nr.750, datë 16.09.2015.
Policia e Lezhës falënderon mediat, për denoncimin e rasteve të tilla, dhe i fton që të vijojnë të denoncojnë raste të tjera të paligjshmërisë, duke iu garantuar reagim të shpejtë, profesional dhe të paanshëm.