Kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, njoftoi të hënën nisjen e një hetimi të brendshëm dhe disa reforma në institucion lidhur me një skandal korrupsioni për lobimin e paligjshëm të një prej vendeve të Gjirit Persik.
Lajmi u bë i ditur gjatë një fjalimi para deputetëve të Parlamentit Evropian në Strasburg.
“Nuk do të ketë pandëshkueshmëri. Përgjegjësit do ta dinë se ky parlament është në anën e ligjit. Dhe unë jam krenare për rolin dhe ndihmën tonë në hetim. Nuk do të ketë heshtje. Ne do të nisim një hetim të brendshëm për të shqyrtuar të gjithë faktet që lidhen me Parlamentin dhe përcaktojnë sesi sistemet tona mund të ofrojnë një nivel edhe më të madh mbrojtjeje ndaj ndikimeve të jashtme”, tha Metsola.
Gjithashtu, kryetarja e Parlamentit Evropian siguroi se do të inicojë reformën e institucionit, lidhur me transparencën më të madhe të tij.
“Nuk do të ketë më ‘biznes si zakonisht’. Do të fillojmë një proces reformash për të përcaktuar se kush ka akses në ambientet tona, si financohen këto organizata, shoqata publike dhe njerëz, çfarë lidhjesh kanë me vendet e treta. Do të kërkojmë transparencë më të madhe në takimet me personat e huaj dhe ata që lidhen me ta”, shpjegoi ajo.
Përveç kësaj, sipas Metsola-s, Parlamenti Evropian duhet të forcojë garancitë e sigurisë për sinjalizuesit.
“Ashtu si ju, unë jam në politikë për të luftuar korrupsionin. Për të mbështetur parimet e Evropës. Ky është një test i vlerave dhe sistemeve tona. Dhe kolegë, më lejoni t’ju siguroj se do ta kalojmë këtë test”, theksoi kreu i Parlamentit Evropian.
Kujtojmë se në Bruksel dhe rrethinat e tij më 9 dhjetor u kryen kontrolle dhe arrestime në kuadër të një hetimi për veprimtarinë e një “organizate kriminale, korrupsion dhe pastrim parash”.
Në veçanti, oficerët e zbatimit të ligjit sekuestruan afërsisht 600 mijë euro para cash, telefona celularë dhe pajisje kompjuterike.
Më pas u bë e ditur se në kuadër të hetimeve u arrestuan një nga nënkryetaret e Parlamentit Europian, Eva Kaili dhe ish-deputeti italian, Pier Antonio Panzeri.
Të dielën, katër persona të përfshirë në këtë rast, përfshirë Kaili-n dhe Panzeri-n, u morën në paraburgim. Përveç kësaj, asetet e Kaili-t janë ngrirë nga Greqia, vendi i saj i origjinës.
Gjithashtu, në kuadër të operacionit antikorrupsion të prokurorisë federale, u kontrollua edhe në shtëpinë e Mark Tarabella-s, deputet i Parlamentit Evropian nga Belgjika, i cili ka mbështetur publikisht Katarin muajt e fundit.