Kreu i PD, Sali Berisha ka paralajmëruar për protesta të tjera përveç asaj të 11 shkurtit.
Gjatë fjalës së tij në takimin me krerët e degëve të Partisë Demokratike, Berisha tha se qytetarët duhet të jenë të gatshëm që të protestojnë përpara Kuvendit në çdo kohë. Më tej ai deklaroi se Parlamenti nuk mund të vijojë punën pa rregulla pasi nuk është “klubi i Edi Ramës”.
“Shqiptarët duhet ta dinë se parlamenti është më i shëmtuar se kurrë, më i cunguar se kurrë, është një parlament ku shkelet kushtetuta çdo ditë, vendoset me urdhrat banditeske të Ramës çdo ditë. Dhunohet çdo ditë e drejta e të zgjedhurve nga shqiptarët. Ne jemi të vendosur të mos e braktisim atë kurrë, por ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që zëri i shqiptarëve të dëgjohet. Duhet të jemi të gatshëm në çdo kohë për protesta të fuqishme para parlamentit, ai është i qytetarëve. Siç e shihni ata sillen si një bandë, bllokojnë komisionet hetimore, nuk ndodh në asnjë vend të botës. Bllokimit të tyre do t’i përgjigjemi me një qëndresë të fortë. Protesta para parlamentit duhet të jetë e gatshme në çdo kohë! Parlamenti nuk mund të funksionojë si një klub i Edi Ramës, jashtë rregullave. Qytetarët do jenë në çdo kohë të gatshëm për të protestuar aty, deputetët janë përfaqësues të qytetarëve, as të Ramës, as të Lindës që nuk ka princip por zbaton verbërisht urdhërat e tij”, deklaroi Berisha.