Referuar Kontrollit të Lartë të Shtetit ku ka audituar institucionet shtetërore në periudhën janar-qershor 2021, për parregullsitë dhe shkeljet financiare në të ardhura e shpenzime të kryera dëmi përllogaritet në 1.3 milionë euro.
Një pjesë e tjetër e dëmit lidhet me shkelje të disiplinës financiare të autoriteteve, nga të cilat 8.4 milionë lekë përllogariten dëme në fushën e të ardhurave teksa pjesa më e madhe në atë të shpenzimeve me 12.8 milionë euro sipas KLSH-së.
Prokurimet publike vijojnë të jenë fusha me riskun më të lartë për buxhetin e shtetit pasi edhe në këtë auditim të KLSH-së shkeljet më të mëdha janë konstatuar në procedurat tenderuese me 74.3 milionë lekë dëm ekonomik.
Problematikat thuhet në auditimin e KLSH-së lidhen jo vetëm në fazën e zhvillimit të procedurave të prokurimit me mangësi të mëdha në përgatitjen e dokumentacionit të tenderave, por edhe në fazën e zbatimit të kontratave si dhe dorëzimit të punimeve.
Pas tyre, shkeljet e tjera i përkasin fushës së tatim –taksave me moszbatim të legjislacionit tatimor me një dëm që përllogaritet sipas institucionit auditues në 14 milionë lekë, teksa në fushën e pagave, shpërblimeve dhe sigurimeve shoqërore dëmi i përllogaritur arrin në 13.1 milionë lekë për shkak të largimeve të padrejta nga puna apo dhënie padrejtësisht të shpërblimeve për punonjësit.