Partizani godet në orën e fundit të merkatos, merr talentin e Shpresave, Prekën

Në orët e fundit të merkatos, klubi i Partizanit duket se ka bërë një lëvizje të madhe dhe të zgjuar për të ardhmen, pasi ka firmosur me një lojtar të Kombëtares U-21, Marçelino Prekën. Në fakt, futbollisti ka luajtur me skuadrat kombëtare të moshave në vazhdimësi dhe kohët e fundit ishte pjesë e Bylisit, por tani vjen një tjetër moment deçiziv për karrierën e tij, sepse firmos me gjigantët e kryeqytetit, pikërisht “demat e kuq’ të Partizanit, një skuadër që ka pretendime për titull dhe me shanse që të luajë në Europë, aty ku lojtari shpreson të lërë gjurmë dhe të shfrytëzojë Partizanin si trampolinë drejt një klubi të spikatur europian.

Babai i Hysajt realizoi lëvizjen

Në një postim në rrjetet sociale Bylisi bën me dije se 19-vjeçari është shitur te “të kuqtë” e kryeqytetit. Në njoftimin e ballshiotëve ndër të tjera theksohet se kalimi i mbrojtësit te Partizani është bërë i mundur pas ndërmjetësimit të babait të Elseid Hysajt, Gëzim Hysajt. Lajmin për lëvizjen e lojtarit e dha nëpërmjet një njoftimi zyrtar vetë klubi i Bylisit, i cili i ka thurur elozhe këtij transferimi, duke ditur cilësinë e lojtarit të Shpresave. Arrihet marrëveshja për transferimin e mbrojtësit 19-vjeçar, një prej talenteve më premtues të skuadrës sonë dhe futbollit shqiptar, pjesë e Shpresave U-21, Marçelino Preka, në klubin e Partizanit. Kishte një interesim konkret prej dy muajsh nga ana e drejtorit sportiv të klubit të Partizanit, Z. Elton Marini i deleguar nga presidenti i skuadrës së kuqe, Z. Gazmend Demi, për të hyrë në tratativa me klubin tonë dhe presidentin Besnik Kapllanaj për transferimin e Prekës. Në parim marrëveshja ishte dakordësuar dhe sot transferimi falë përkujdesjes së klubit tonë dhe vetë presidentit Besnik Kapllanaj në bashkëpunim edhe me zyrtarët e klubit të kuq është zyrtarizuar. Duam të sqarojmë se grupe të ndryshme menaxheriale kanë tentuar të infiltrohen në këtë marrëveshje, por çdo gjë është arritur falë marrëveshjes midis dy klubeve. Deri më sot të gjithë menaxherët kanë pasur vetëm fjalë dhe asgjë konkrete lidhur me lojtarin në fjalë.

Urimi i Bylisit për lojtarin

Për largimin e Prekës nga Ballshi drejt kryeqytetit ka reaguar siç thamë vetë klubi i Bylisit, që uron lojtarin të ketë suksese. “Nga sot, Marçelino Preka është zyrtarisht lojtar i Partizanit. FK BYLIS i uron suksese Marçelino Prekës, dhe pse jo eksperienca në një nga klubet e njohura dhe me histori në vendin tonë, t’i shërbejë që së shpejti ta shohim në një klub dhe kampionat të njohur jashtë vendit! Në të njëjtën kohë i jemi mirënjohës ndërmjetësit Gëzim Hysaj, babai i kapitenit të kombëtares Elseid Hysaj, për ndihmën e dhënë në kohën që talenti Preka firmosi 2-vite më parë në klubin tonë. Suksese kampioni Marçelino Preka!”, shkruan klubi i Bylisit. Duhet thënë se Partizani ka tani një kontigjent lojtarësh cilësorë në dispozicion dhe mund të pretendojë të realizojë objektivat e veta. Kuptohet, objektivi kryesor mbetet titulli kampin, kurse ai minimal pjesëmarrja në Europë. Me Prekën rriten shanset për të realizuar objektivat.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *