Pas bisedës Biden-Putin, zbulohet plani për evakuimin e amerikanëve nëse Rusia pushton Ukrainën

Administrata Biden po mendon alternativat që do të ketë për një evakuim të mundshëm të qytetarëve amerikanë nga Ukraina, nëse Rusia do të vendosë ta pushtojë, raporton CNN, duke cituar gjashtë burime të ndryshme nga zyrtarë që kanë njohuri mbi çështje.

Plani i evakuimit është duke u realizuar nga Pentagoni, zyrtarë të të cilit po raportojnë në kongres për çdo eventualitet. Ky ështe skenari më i errët që mund të ndodhë në Ukrainë, për të cilin SHBA-ja po përgatitet.

Lajmi bëhet publik vetëm një ditë pas bisedës mes Joe Biden dhe Vladimir Putin.

Në një raport të dorëzuar në Senat nga zyrtarja e Departamentit të Shtetit, Victoria Nuland të hënën, theksohet se po përgatitet një paketë e ashpër sanksionesh që do të vendosen ndaj Rusisë, nëse ajo sulmon. Megjithatë, raporti pranon se opsionet e Shteteve të Bashkuara për të shmangur sulmin janë të kufizuara.

Është ende e paqartë nëse Putin e ka marrë vendimin për ta pushtuar Ukrainën, thanë zyrtarët amerikanë. Por fakti që ka mbledhur në kufi trupa dhe armatime të shumta, tregon se mund ta vërë në zbatim planin e tij në çdo moment.

Burimet e CNN thanë se nuk ka ende nevojë për të ndërmarrë një operacion evakuimi, ndërsa linjat ajrore veprojnë rregullisht drejt dhe nga Ukraina. Edhe ambasada amerikane në Kiev tha përmes një postimi në Twitter se evakuimi nuk po merrej në konsideratë. Por Departamenti i Mbrojtjes dhe ai i Shtetit, e kanë planin gati për skenarin më të keq.

“Nuk e dimë ende nëse Putinit i është mbushur mendja për të përdorur forcën, por dimë me siguri që ai ka ngritur në këmbë ushtrinë ruse dhe e ka vendosur në vende mund të veprojë me shpejtësi”, tha drejtori i CIA-s, Bill Burns, gjatë një konference të organizuar nga “Wall Street Journal” të hënën.

Nuland tha të martën se në Ukrainë ndodhen momentalisht 10-15 mijë amerikanë. “Nëse do të jemi të shqetësuar për nisjen e luftimeve në Ukrainë, atëherë do të fillojmë të lajmërojmë qytetarët tanë se është koha për t’u kthyer në shtëpi”, tha ajo në një intervistë për CNN.

Situata në Ukrainë mbetet e tensionuar dhe palët duket se po përgatiten për përballjen e armatosur. Ministria e Mbrojtjes në Ukrainë publikoi në orët e fundit një video të një delegacioni ushtarak amerikan, i cili do të ndihmojë në përmirësimin e sistemit të mbrojtjes ajrore të vendit. Sipas deklaratës së kësaj ministrie, ekspertët amerikanë dhe ata ukrainas diskutuan rreth problemeve që ka sistemi i mbrojtjes ajrore në Ukrainë. Më herët gjatë ditës, Ukraina akuzoi Rusinë se ka vendosur ekipe shtesë tankesh dhe snajperë në vijën e parë të konfliktit në Ukrainën lindore, të gatshëm për të shkaktuar viktima mbi ushtarët ukrainas dhe për të provokuar përballjen e armatosur.

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov, tha për CNN, se nëse Rusia vendos të pushtojë “do të jetë vërtetë një masakër e përgjakur. Rusët do të kthehen pas në arkivolë”. Ndërsa presidenti Volodymyr Zelenskiy vizitoi të hënën frontin e luftës, në Donjeck, në ditën kombëtare të ushtrisë, ku pa nga afër moralin e ushtarëve të tij, që përballen çdo ditë me separatistët e mbështetur nga Moska. “Me njerëz si ju, kam besim se do t’i mundim të gjithë, me siguri”, u tha Zelenskiy ushtarëve.

Deri tani, që prej aneksimit të Krimesë nga Rusia, Kievi thotë se kanë humbur jetën 14 mijë persona nga luftimet. Armëpushimi i brishtë i firmosur në vitin 2020 nuk respektohet gjithmonë dhe herë pas here ka shkëmbime zjarri.

/Burimi:CNN/ Përshtati: Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *