Pas “Buxhetit 2022”, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka vendosur të kthejë për shqyrtim në Kuvend një tjetër ligj. Bëhet fjalë për rishqyrtim të ligjit nr. 111/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
Sipas arsyetimeve të Presidentit Meta, trajtimi fiskal i diferencuar që aplikon ky ligj, në thelb shkel parime e të drejta themelore kushtetuese.
“Trajtimi fiskal i diferencuar që aplikon ky ligj, në thelb shkel parime e të drejta themelore kushtetuese për mbrojtjen e të cilave Presidenti i Republikës, ka vendosur kthimin e këtij ligji për rishqyrtim.
“Për ilustrim, për subjektet që operojnë në fushën e turizmit argëtues, sportet ujore etj., nuk i është hequr përjashtimi nga TVSH për mjetet lundruese për qëllime turistike dhe argëtim, apo heqja e shkallës së reduktuar për aktivitete dhe sektorë të tjerë. Pra këto subjekte mbeten të favorizuara përmes përjashtimit nga TVSH”, thotë Presidenti.
Kjo sipas tij do të thotë se, këto subjekte që operojnë në shitjen dhe tregtimin e mjeteve lundruese ngelen të favorizuara, ndërkohë që sektorë të veçantë të ekonomisë me më shumë nevojë, diferencohen dhe mbahen në presion fiskal të diferencuar dhe jo proporcional me nevojën që dikton mbështetja e tyre.
“Ndërkohë që, në përjashtimet e veçanta në import për makineritë dhe pajisjet, kufiri përpara këtyre ndryshimeve ligjore ishte në një vlerë mbi 50 milionë lekë. Ndërsa me ndryshimet ligjore, kemi 10-fishim të vlerës së kufirit minimal mbi të cilën vihet në zbatim përjashtimi përmes këtij ligji. Rritja e këtij kufiri, penalizon dhe rëndon mbi subjekte që zhvillojnë aktivitetin në këtë fushë. Përjashtimet nga zbatimi i regjimit ligjor fiskal, në mënyrë të diferencuar, rrezikojnë qëndrueshmërinë e vetë ligjit bazë për tatimin mbi vlerën e shtuar”, argumenton Presidenti Meta.
ARGUMENTET E PLOTA TE PRESIDENTIT META
Kuvendi i Shqipërisë në seancën plenare të datës 25.11.2021, ka miratuar ligjin nr. 111/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Ky ligj me shkresën me nr. 3098 prot., datë 26.11.2021 të Kuvendit, i është përcjellë Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje.
Ky ligj është miratuar si pjesë e paketës fiskale, shoqëruar edhe nga ligji nr. 115/2021 “Për buxhetin e vitit 2022”. Ky i fundit është kthyer nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 13369, datë 10.12.2021, pasi pas shqyrtimit të dokumentacionit, raporteve të komisioneve parlamentare, si dhe vlerësimit të parashikimeve ekonomike të formalizuara përmes ligjit nr. 115/2021 “Për buxhetin e vitit 2022”, dhe paketës fiskale që e shoqëronte atë, ky buxhet,
- në tërësinë e tij kishte një plan financiar antisocial:
- paraqiste problematika shqetësuese të transparencës në lidhje me shpenzimet dhe politikat fiskale;
- paraqiste problematika shumë shqetësuese në lidhje me nivelin e borxhit publik, përdorimit dhe efektit ekonomik të tij;
- mungonte mbështetja reale për sektorët e ekonomisë dhe në mënyrë të veçantë për bujqësinë;
- mungonte mbështetja e nevojshme buxhetore për shtresat në nevojë për kurimin ndaj infeksionit Covid-19, të cilët trajtohen në shtëpi dhe jashtë sistemit spitalor.
Arsyet e detajuara të kthimit të këtij ligji, përveçse i janë komunikuar Kuvendit, gjenden të publikuara edhe në link-un: https://president.al/presidenti-meta-dekreton-kthimin-per-rishqyrtim-ne-kuvend-te-ligjit-nr-115-2021-arsyet-e-kthimit-per-rishqyrtim-te-ligjit/.
Ndërkohë që, si ligji për Buxhetin 2022, dhe paketa fiskale që e shoqëron, veçanërisht ndryshimet në ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar, nuk mund të shihen të pandarë, pikërisht për impaktin që kanë në financat publike dhe që kërkon një qasje sipas një politike të konsoliduar në terma afatmesëm dhe afatgjatë.
Ndryshimet e miratuara përmes ligjit nr. 111/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, deklarohet në relacionin shpjegues të nismës, se synojnë:
- trajtimin me shkallë të reduktuar të TVSH-së prej 10 për qind të furnizimit të inputeve bujqësore, siç janë: plehrat kimike, pesticidet, farat dhe fidanët, 2 përveç hormoneve të klasifikuara në kodet 2937 të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave;
- përjashtimin nga TVSH-ja për importimin e makinerive dhe të pajisjeve në funksion të realizimit të kontratave të investimeve me vlerë të barabartë ose më të madhe se 500 milionë lekë;
- zëvendësimin e normës së kompensimit të prodhuesit bujqësor prej 6 për qind në 0 për qind.
Konkretisht:
- Për sektorin e bujqësisë është hequr kompensimi për prodhuesit bujqësorë, si dhe është vendosur shkalla e reduktuar prej 10 për qind (%) të furnizimit me inputet bujqësore;
- Është ndryshuar niveli i përjashtimin nga TVSH-ja për importimin e makinerive dhe pajisjeve në funksion të realizimit të kontratave të investimeve me vlerë të barabartë ose më të madhe se 500 milionë lekë, ndërkohë që ligji në fuqi përcaktonte si marzh vlerën 50 milionë.
Me ndryshimet e propozuara në këtë ligj, me heqjen apo diferencimin e përjashtimeve të normave të TVSH-së, është shkelur parimi i barazisë së barrës fiskale ndërmjet sektorëve të ekonomisë, sepse është parë me proritet heqja e përjashtimeve për sektorin e bujqësisë dhe të investimeve kundrejt lënies së përjashtimeve për sektorë të tjerë.
Për ilustrim, për subjktet që operojnë në fushën e turizmit argëtues, sportet ujore etj., nuk i është hequr përjashtimi nga TVSH për mjetet lundruese për qëllime turistike dhe argëtim, apo heqja e shkallës së reduktuar për aktivitete dhe sektorë të tjerë. Pra këto subjekte mbeten të favorizuara përmes përjashtimit nga TVSH.
Kjo do të thotë se, këto subjekte që operojnë në shitjen dhe tregtimin e mjeteve lundruese ngelen të favorizuara, ndërkohë që sektorë të veçantë të ekonomisë me më shumë nevojë, diferencohen dhe mbahen në presion fiskal të diferencuar dhe jo propocional me nevojën që dikton mbështetja e tyre.
Trajtimi fiskal i diferencuar, në thelb shkel parime e të drejta themelore kushtetuese për mbrojtjen e të cilave Presidenti i Republikës, ka vendosur kthimin e këtij ligji për rishqyrtim.
Përjashtimet nga zbatimi i regjimit ligjor fiskal, në mënyrë të diferencuar, rrezikojnë qëndrueshmërinë e vetë ligjit bazë nr. 92/2014.
Pikërisht për këtë trajtim të diferencuar, edhe deputetët kanë patur qasje të ndryshme në raport me propozimin e Qeverisë që është miratuar, qasje kjo që duhet t`i nënshtrohej një analize dhe vlerësimi objektiv ne terma makroekonomikë.
Veçanërisht argumente e deputetit, zotit Erion Braçe, lidhur me paketën fiskale kanë theksuar nevojën që ligji për tatimin mbi vlerën e shtuar, nuk mund dhe nuk duhet të ketë përjashtime apo favore të përjetshme në sistemin fiskal[1].
Ndryshimi i bazës së tatimit mbi vlerën e shtuar, kërkon një analizë objektive që të justifikojë ndryshimin në dy aspektet e tij, dhe konkretisht:
- të përfitimit social; dhe të
- Përfitimit ekonomik.
Në terma të përfitimit social, ndryshimet konkrete, vetëm në dukje mund të krijojnë idenë se nxisin tërheqjen e investitorëve strategjikë (siç arsyetohet në relacion).
Ndërkohë që, investimet strategjike, ishin gjithsesi të përfshira në përjashtimet e veçanta në import për makinetritë dhe pajisjet, për sa kohë kufiri përpara këtyre ndryshimeve ishte në një vlerë mbi 50 milionë lekë. Pra kemi 10-fishim të vlerës së kufirit minimal mbi të cilën vihet në zbatim përjashtimi përmes këtij ligji. Rritja e këtij kufiri, penalizon dhe rëndon mbi subjekte të tjera që zhvillojnë aktivitetin në këtë fushë.
Për pasojë, edhe impakti ekonomik, që duhet të evidentojë përfitimin konkret ekonomik që mund të sjellë miratimi i këtij ligji, nuk shoqërohet me një analizë konkrete, për të analizuar pritshmëritë pozitive dhe negative të saj.
Në këtë mënyrë, çdo masë që ka impakt ekonomiko-financiar, qoftë në formën lehtësuese për kategori të caktuara, duhet vlerësuar paraprakisht në raport me gjendjen e diktuar dhe jo vetëm nëse është në interesin e të gjithë shtetasve, por dhe të respektojë raportin e drejtë midis interesit publik dhe garantimit të mirëfunksionimit të buxhetit publik, si dhe të përbëjë mekanizëm real të nxitjes së zhvillimit në një sektor apo nënsektor të caktuar.
Ndaj në bindje të Kushtetutës dhe në zbatim të nenit 85, pika 1 të saj, kam vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 111/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, pasi ndryshimet e kryera nuk mbështeten në një analizë që shkon në funksion të konsolidimit të të ardhurave në buxhet, duke garantuar njëkohësisht edhe trajtim të barabartë dhe proporcional në përputhje me nevojat e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë.
/Priza.al/