Kreu i PD, Sali Berisha ka zbuluar orën e protestës që do të mbahet më 6 Dhjetor në Tiranë, ditë kjo kur kryeqyteti shqiptar do të presë liderët e Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor.
Gjatë fjalës së tij, Beritha tha se protesta do të nisë në orën 12:00 ndërkohë që i bëri thirrje biznesmenëve të bëhen pjesë dhe të mos ndalojnë punonjësit e tyre të dalin në shesh kundër qeverisë së Edi Ramës. Berisha shtoi se kjo protestë do i gjejë demokratët më të mobilizuar se kurrë për t’i treguar liderëve të Bashkimit Europian problemet me të cilat qytetarët shqiptarë përballen çdo ditë.
“Votën e lirë e kanë marrë patronazhistët. Asnjë nga këta liderë të BE-së nuk është zgjedhur me patronazhistë. Asnjë prej tyre ndonjëherë në jetën e tij nuk u ka bërë thirrje policëve që të dalin dhe të mbledhin vota. Protesta jonë është një mesazh i fuqishëm i shqiptarëve që ne nuk pajtohemi me këto gjëra. Ne qëndrojmë për vlerat europiane dhe një Shqipëri me standarte demokratike. Ai që është sot kryeministër është një fatkeqësi kombëtare ndaj edhe ne do të jemi në shesh kësaj rradhe më të mobilizuar se kurrë sepse ditë pune është, sepse ora 12:00 është por kur të thërret koha, nuk ka asnjë apel. Kohës i përgjigjesh pa apel. Dua t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të martën në 12 të gjithë në bulevard”, tha Berisha.