“Pas debatit krisi arma”/ Të plagosurit tregojnë çfarë ndodhi në masakrën me 4 të vdekur në Velipojë

Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për dy shtetasit Hasan Ferracaku dhe Elmidin Dyli, të cilët dyshohen si të përfshirë në ngjarjen e rëndë në Velipojë ku mbetën të vrarë katër shtetas dhe dy të plagosur. Seanca për masën e sigurisë është zhvilluar në spitalin e traumës në Tiranë pasi vijojnë të jenë të shtruar atje.

Hasan Ferracaku dhe Elmidin Dyli nuk kanë mundur që të flasin gjatë seancës për masën e sigurisë për shkak të gjendjes shëndetësore jo të mirë. Mësohet se Hasan Ferracaku ditën e nesërme do t’i nënshtrohet një operacioni. Ai që ka folur gjatë seancës për masën e sigurisë është avokati mbrojtës Blerim Bazhdari i cili ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg me afat”, kërkesë kjo që pala mbrojtëse të njihet me aktet e ekspertimit.

Prokurorja Shqiponja Milla kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg” që u pranua nga gjyqtari Besmir Stroka. Sipas dosjes të deri tanishme është ende e paqartë edhe për prokurorinë se si ka ndodhur ngjarja dhe se kush janë personat që kanë qëlluar.

Për të saktësuar këtë priten aktet e ekspertimit dhe hetimet e mëtejshme. Në dosjen që ka prokuroria për këtë ngjarje thuhet se janë përdorur të paktën katër lloje armësh. Janë konstatuar një armë tip pistoletë e llojit TT me 6 fishekë në krehër dhe një fishek në folenë e fishekut ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur 22 gëzhoja të shpërndara në të gjithë vendin ku ndodhi vrasja e katër personave dhe plagosja e dy të tjerëve. Mesnatën e 27 qershorit mbetën të vrarë Kujtim Ferracaku, dy vëllezërit Edmond dhe Xhovan Gocaj dhe kamarieri Musaen Zeneli ndërsa u plagosën Hasan Ferracaku dhe Elmedin Dyli. Ndërkohë më përpara në dëshminë e dhënë për policinë Hasan Ferracaku ka dhënë disa sqarime se si ka ndodhur ngjarja.

“Prej disa ditësh kemi patur konflikt me djemtë e Pjetër Gocaj për punë çadrash në plazhin e Velipojës. Kemi marrë me qira ose leje për shfrytëzim të shezlongëve në Velipojë dhe tek ky vend kanë ndërhyrë djemtë e Pjetrit dhe për këtë jemi konfliktuar. Kemi shkuar tek lokali i djemve të Pjetrit për t’u sqaruar. Është ulur në tavolinë njëri prej djemve të Pjetrit dhe pasi kemi biseduar ka krisur arma e zjarrit ku vëllai i tij ka qëlluar me automatik drejt Kujtimit dhe e ka vrarë atë. Kur ka qëlluar ai, Kujtimi përpara se të vritej i është kundërpërgjigjur me pistoletë dhe i është hedhur duke i kapur armën djalit të Pjetrit dhe më pas jemi larguar dhe nuk e di çfarë ka ndodhur.”, tha Ferracaku.

Një dëshmi ka dhënë edhe 17-vjeçari Elmedin Dyli, nipi i viktimës Kujtim Ferracaku.

“Punoja tek gjyshi, Kujtim Ferracaku si kamarier dhe pasi kam mbaruar punën rreth orës 23:30 kemi dalë me stafin e lokalit para hotel Fantazisë për të pirë një kafe dhe aty kam dëgjuar debate që vinin përtej lokalit të Hasanit dhe siç kemi qenë bashkë kemi shkuar tek vendi në fjalë. Aty kam parë Hasanin që ishte në tavolinë me një person duke sqaruar debatin mes tyre, kishte edhe persona të tjerë të pranishëm. Në këtë kohë ka shkuar aty edhe Kujtimi, gjyshi im dhe ka lëshuar disa fjalë drejt tyre; “janë marre këto punë, kush jeni ju?!” dhe aty kam dëgjuar krisma arme që më kanë ardhur në krah pas meje dhe kam parë gjyshin që është rrëzuar në tokë. Aty kanë filluar edhe të shtëna të tjera me armë zjarri. Armë ka patur gjyshi Kujtimi, Hasan Ferracaku dhe Abedin Ferracaku, djali i Hasanit kurse pala tjetër ka patur automatik. Kur ata kanë qëlluar gjyshi i është kundërpërgjigjur.”, tha ai.

Sipas prokurorisë dy shtetasit e arrestuar rrezikojnë burgim jo më pak se 25 vjet ose burgim të përjetshëm në bazë të veprave penale që dyshohet se kanë konsumuar. Përveç dy të arrestuarve në kërkim janë edhe tre djemtë e Hasan Ferracakut, shtetasit Abedin, Astrit dhe Shyqyri Ferracaku si të përfshirë në ngjarjen e rëndë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *