Gjendja e ndotjes në Shijak për shkak të mbeturinave është alarmante! Edhe ky qytet i cili `rastësisht` po mbulohet nga mbeturinat nuk ka asnjë kontratë të lidhur me inceneratorët.
Kujtojmë se e njëjta problematikë ndodhi në qytetin e Durrësit dhe të Kavajës, ku në kulmin e sezonit turistik, u mbuluan nga plehrat të cilat digjeshin nga persona të pa identifikuar. Sërish edhe në këto dy raste mungonte një kontratë me inceneratorët.
Prej ditësh i mbuluar nga mbeturinat, për shkak të mospastrimit të koshave, të cilat në temperaturat e larta të këtyre ditëve, janë dekompozuar dhe shkaktojnë aromë të padurueshme.
Zgjidhje për Bashkinë Shijak është bërë grumbullimi i tyre në një landfill të paligjshëm, rreth të cilit ka banesa. Përveç kësaj, atyre u është vënë edhe zjarri, duke shkaktuar kështu edhe një tym jashtzakonisht të dëmshëm për shëndetin e qytetarëve të zonës.
Ndërkohë i pyetur nga mediet, kryetari i Bashkisë tha se Bashkia e Shijakut nuk ka një marrëveshje me landfillin e Sharrës, pasi ka mbaruar afati. Për të krijuar një marrëveshje të re ka disa procedura që marrin kohë dhe duan ditë, tha ai.
Nga ana tjetër burime nga landifilli i Sharrës deklarojnë se marrëveshja nuk është firmosur nga bashkia. Për 10 ditë madje Sharra i ka pranuar mbeturinat falas. Pra, sipas tyre shkak është bashkia e Shijakut që nuk ka firmosur marrëveshjen dhe situata me plehrat ka agravuar.
Banorët shprehen tepër të revoltuar dhe shqetësuar. Ata shprehen se nuk rrinë dot në shtëpi për shkak të erës së rënduar që është krijuar në zonë. E vetmja zgjidhje sipas tyre është që të mbyllin dyer dhe dritare.
“Vjen erë e keqe, s’po marrim dot frymë. Kjo situatë me pehrat ka 5 ditë apo 1 javë që vjen era. Po nuk mbylle dyer e dritare nuk rri dot në shtëpi“, tha një banorë.
Sipas banorëve të zonës kjo situatë ka filluar që prej disa ditësh, ndërkohë që tymi dhe era e keqe është kthyer në një problem jetësor për ta.
“Tmerr me plehrat . Tek lagja ime kanë 2 javë pa u hequr plehrat, është kthyer në një problem të madh“, shprehet një tjetër.
/Priza.al/