BE mund të rikthejë vizat!/ Numri i lartë i azilkërkuesve, pas Gjermanisë ankohet edhe Franca për Shqipërinë

Bashkimi Europian mund të kthejë regjimin e vizave për disa shtete të Ballkanit Perëndimor. Kështu raporton Radio Evropa e Lirë që nënvizon se shkak për këtë është bërë numri i madh i personave që kërkojnë azil në vendet anëtare, por që nuk i plotësojnë kushtet për të aplikuar.

Në një dokument të brendshëm të presidencës sllovene të BE-së, i cili është përgatitur me kërkesë të shteteve të Unionit, përmenden shembuj të shumtë të keqpërdorimit të udhëtimit pa viza dhe kërkesave të pabaza për azil. Madje Franca është ankuar drejtpërdrejt për Shqipërinë.

“Ne ndajmë vlerësimin e Komisionit Europian, posaçërisht në rastin e Shqipërisë dhe Gjeorgjisë, për të cilat, liberalizimi i vizave ka shkaktuar një rritje të madhe të emigrimit ilegal dhe kërkesave të pabazuara për azil në Francë”.

Një shqetësim i përsëritur ky nga Parisi për Tiranën, me të cilin dy vite më parë pengoi dhe çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE. Franca është ankuar edhe ndaj Serbisë, sa i përket liberalizimit të vizave.

Problem i madh shihet edhe numri i lartë i emigrantëve nga vendet e e treta, si ata nga Bangladeshi që përdorin vendet e Ballkanit Perëndimor si tranzit për të hyrë në shtete të Unionit.

Ndërkaq, ditën e djeshme media pranë Brukselit, EUobserver ka publikuar një dokument, ku thuhet se Gjermania i ka bërë një kërkesë BE-së më 27 shtator 2021 për pezullimin e lëvizjes së lirë për Ballkanin Perëndimor dhe rikthimin e sistemit të vizave për disa vende, përfshirë këtu dhe Shqipërinë. Shkak për këtë është bërë numri i lartë i azilantëve. Duket se një prej arritjeve më të mëdha të shekullit, ajo e lëvizjes së lirë është seriozisht e rrezikuar.

“Sipas statistikave kriminale për vitin 2020 vendet partnere të BE dhe vende të Ballkanit si Shqipëria dhe Serbia janë në 10 vendet që dhunojnë ligjet ndërkombëtare”, shkruhet në dokument.

Gjermania regjistroi rritje në “shkeljet e paautorizuara të qëndrimit” nga Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina pavarësisht një rënie të përgjithshme vitin e kaluar për shkak të pandemisë. Gjithashtu dokumenti citon një rritje prej 51 përqind të kërkesave për azil nga Gjeorgjia gjatë tre muajve të fundit, në krahasim me të njëjtën periudhë në vitin 2019.

“Që siguria të jetë e lartë dhe migrimi të qëndrojë i ulët duhet që për vendet e treta të kërkohen viza për lëvizjen e tyre”, shkruhet më tej në dokument.

Bashkimi Europian ka në fuqi “mekanizmin për pezullimin e liberalizimit të vizave”, por nuk e ka përdorur deri më tani. Tentativa e fundit dhe më konkrete për kthimin e regjimit të vizave ishte nga Holanda dhe nga kërkesa e këtij vendi shënjestrohej Shqipëria. Por Komisioni Europian e refuzoi duke vlerësuar se nuk kishte arsye të forta për të kthyer vizat.

Kërkesat
EUobserver shkruan se ka një rritje me më shumë se 50 përqind në qëndrimet e parregullta, ose aplikantët për azil me përqindje të ulëta njohjeje. Në këto kushte është e nevojshme që vizat të rivendosen. Vendet që refuzojnë të marrin shtetasit e tyre gjithashtu mund të shohin kthimin e vizave. Italia bëri komente të ngjashme mbi Moldavinë, duke vënë në dukje se rrjetet e trafikimit të qenieve Franca ishte gjithashtu e pakënaqur me Shqipërinë dhe Gjeorgjinë dhe mbetet e kujdesshme ndaj serbëve. Republika Çeke tha se ka parë një numër të lartë të kërkesave të pabazuara për azil nga shtetas gjeorgjianë, moldavë dhe ukrainas. Nga ana e saj, Belgjika e përshkroi numrin e kërkesave për azil nga Moldavia në vitin 2021 “si një rritje alarmante. Holanda është shteti i parë dhe i vetëm i BE-së që deri më tani ka kërkuar pezullim pa viza. Por kërkesa e saj, kundër Shqipërisë në vitin 2019, u refuzua nga Komisioni Evropian.

Statistikat
Që nga janari i vitit 2008 deri në qershor të vitit 2021 janë rreth 202 mijë shtetas shqiptarë që kanë kërkuar azil në një nga vendet e Bashkimit Europian referuar Agjencisë Evropiane të Statistikave. Numri më i madh i aplikimeve për azil është shënuar në vitin 2015 me rreth 66 mijë aplikime, ku rreth 70% kishin destinacion Gjermaninë. Më tej shifrat janë përgjysmuar, ndërsa në vitin 2018 është shënuar një tendencë rritëse e lehtë. Në vitin 2020, pandemia frenoi përkohësisht aplikimet për azil për shkak të karantinës dhe kufizimeve të udhëtimeve, por nuk i ndali tërësisht. Duke iu referuar Eurostat, pas lehtësimit të masave ka pasur një rritje të kërkesave për azil, por në Shqipëri ka rreth 800 kërkesa më pak se 6 mujori i parë i vitit që lamë pas.

Ndërkohë në një raport të Zyrës Evropiane për Mbështetjen e Azilit thuhet se Shqipëria ka frenuar kërkesat për azil, por numri mbetet ende i lartë dhe disa janë edhe kërkesa të përsëritura. EUROSTAT bëri të ditur se këtë vit dy shtetet më të preferuara nga azilantët shqiptarë janë Franca me 365 aplikime dhe Greqia me 285. Në vend të tretë është Italia, e ndjekur nga Gjermania. Në raportin e fundit të Eurostat thuhet se sirianët përbëjnë grupin më të madh të personave që kanë kërkuar azil, pas tyre vijnë afganët dhe pakistanezët.

/Burimi: REL/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *