Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha, është rikthyer ditën e sotme në Kuvend pas katër muajsh mungesë dhe ka deklaruar se është rikthyer vetëm për respekt të popullit. Gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, Berisha ka hedhur akuza të rënda ndaj qeverisë.
Ai tha se kryeministri i vendit Edi Rama duhet të hetohet patjetër pasi është kreu i Meduzës bashkë më kryedemokratin Lulzim Basha të cilin ai e ka cilësuar si pengu i Ramës duke e quajtur Lul Brava. Sipas Berishës dy politikanët akuzohen për fshehje të krimeve dhe pastrim të parave.
Ramën e ka akuzuar për pastrimin e 200 milionë eurove në zona offshore, ndërsa kryeministri i mbylli çështjen në Gjykatën e Apelit.
“Kreu i Meduzës i akuzuar për larjen e 200 milionë eurove në zona ofshore për të cilat se përgënjeshtroi kurrë, por jo më pak Lul Brava që u hetua nga Prokuroria a e Tiranës dhe u mbyll hetimi. Nëse ne duhet të bëhemi seriozë në luftën kundër këtij krimi të shëmtuar që ushqen të gjitha krimet e tjera përfshirë dhe terrorizmin duhet t’i vendosim në hetim të plotë si kreun e Meduzëz ashtu edhe pengun e tij Lul Brava. Të cilit ia mbylli çështjen në Apel dhe nuk e dërgoi në Gjykatë të Lartë. Larja e parave të pista mekanizmi kryesor. Më mira është që ta bëjë parlamenti këtë”, tha Berisha.
Para se të hynte në kuvend, Berisha tha se po rikthehet vetëm për respekt të popullit dhe takimet me foltoren kanë qenë parlamenti i vërtetë. Berisha bëri një reagim të gjatë edhe për protestën e banorëve të 5 majit të cilët erdhën sot në dyert e parlamentit pasi iu prishën shtëpitë disa ditë më parë. Sipas Berishës, aty do të ndërtohen kulla në të cilat është dhe ortak Lulzim Basha.
Lufta e brendshme në PD vijon ende, ndërsa Berisha ka paralajmëruar se do të ketë protesta të tjera veç 8 janarit. Përplasja e thellë dhe e dhunshme për të marrë nën kontroll selinë blu në Tiranë, ia ka lënë vendin takimeve të Lulzim Bashës dhe Sali Berishës në një tur në të gjithë vendin. Dy demokratët kanë mbledhur forcat për të mbajtur afër mbështetësit e tyre, ndërsa situatat e brendshme politike e Partisë Demokratike sa vjen e bëhet edhe më e ashpër.
/Priza.al/