Adidas mund të detyrohet të djegë atletet Yeezy me vlerë deri në 500 milionë dollarë pasi ndërpreu bashkëpunimin me reperin Kanye West vitin e kaluar për shkak të komenteve të tij antisemite. Gjiganti gjerman i veshjeve sportive ka mbetur me pak opsione të mira për markën e tij Yeezy, një segment dikur i popullarizuar dhe fitimprurës i biznesit të tij.
Nëse Adidas nuk është në gjendje të gjejë blerës për atletet, një rrugë e mundshme për zgjidhjen e dilemës do të ishte “fjalë për fjalë djegia e këpucëve”, raporton “Washington Post”, duke cituar ekspertë të industrisë. Inventari i mbetur i Yeezy dhe Adidas vlerësohet të jetë midis 300 dhe 500 milion dollarë.
Adidas nuk do të ishte kompania e parë që do të djegë produktin e saj. Disa shitës me pakicë, duke përfshirë Burberry, Coach, Victoria’s Secret, Louis Vuitton dhe Nike, kanë zgjedhur të shkatërrojnë inventarin që mbeti i pashitur si një mjet për pastrimin e ofertës së tepërt.
Ekspertët paralajmëruan se kjo praktikë, megjithëse relativisht e zakonshme, do të ishte “rezultati më i keq” sepse nuk do të gjeneronte të ardhura dhe mund të shkaktonte reagime ndaj mbetjeve dhe kostove mjedisore.
Adidas mund të zgjedhë të riemërojë atletet e saj Yeezy dhe të përpiqet t’i shesë ato me një zbritje, thanë analistët. Përpara komenteve antisemite të West, atletet mund të shiteshin për rreth 600 dollarë.
Sipas analistit të Wedbush, Tom Nikic, çdo përpjekje për të rishitur “Zombie Yeezys” nën një etiketë të re mbart rreziqet e veta.
“Kjo mund t’u kthehet atyre nga perspektiva e PR. Do të dukej ende sikur ata po përfitonin nga një bashkëpunim me dikë që bëri deklarata flagrante antisemitike”- tha Nikic për gazetën.
Zgjidhje të tjera të mundshme përfshijnë likuidimin e atleteve të mbetura Yeezy në dyqanet me zbritje ose dhurimin e tyre.
Muajin e kaluar, Adidas paralajmëroi investitorët se mund të marrë një humbje prej afro 1.3 miliardë dollarësh në të ardhura për shkak të grumbullimit të inventarit të Yeezy.
Kompania paralajmëroi se do të përballet me një goditje prej më shumë se 500 milionë dollarësh në fitimin e saj operativ këtë vit për shkak të Yeezy.
“Nëse kompania vendos në mënyrë të pakthyeshme të mos ripërdorë asnjë nga produktet ekzistuese Yeezy në vazhdim, kjo do të rezultojë në shlyerjen e inventarit ekzistues Yeezy”, tha kompania në një postim në faqen e saj të internetit.