Ukraina konfirmoi sot se ka filluar puna në tre portet e vendit, që kanë dalje në Detin e Zi, për rifillimin e eksporteve të grurit.
“Pas nënshkrimit të marrëveshjes nga Rusia për zhbllokimin të porteve të Ukrainës për eksportin e grurit, puna ka rifilluar në portet në Odesa, Chornomorsk dhe Pivdeny”, theksohet në një njoftim në shpërndarë në rrjetet sociale nga marina ukrainase.
Nga ana tjetër, ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, njoftoi se në Stamboll është krijuar një grup pune që do të mbikëqyrë eksportin e drithërave ukrainase, pas marrëveshjes të cilësuar historike që u arrit edhe me pjesëmarrjen e OKB-së.
Rusia dhe Ukraina nënshkruan marrëveshjen, të ndërmjetësuar nga Ankaraja dhe Kombet e Bashkuara, të premten e kaluar për të rihapur eksportet e grurit dhe plehrave që janë bllokuar nga lufta duke lehtësuar kështu një krizë ndërkombëtare ushqimore.
Sipas ministrit turk grupi prej 20 personash, punonjës nga Ukraina, Rusia, Turqia dhe Kombet e Bashkuara “do të punojnë krah për krah për të siguruar që eksportet të kryhen sipas marrëveshjes”.
Ndërkohë kryeministri polak tha se “nuk mund t’i besohet Rusisë se do të respektojë këtë marrëveshje”, pasi sipas tij një ditë pas firmosjes Moska sulmoi me raketa portin e Odesës në Ukrainë.
OKB-ja dhe Turqia shpresojnë se nga Ukraina do të eksportohet më shumë se 25 milion ton grurë. OKB-ja, Ukraina dhe Rusia kanë thënë të gjithë se presin që eksportet të fillojnë brenda pak ditësh.
Por zëvendësministri i Jashtëm rus Andrei Rudenko tha të mërkurën se marrëveshja mund të prishet nëse pengesat ndaj eksporteve bujqësore të Rusisë nuk hiqen menjëherë.
Dërgesat e Ukrainës përmes detit kanë ngecur që nga muaji shkurt, duke shkaktuar një rritje të mprehtë të çmimeve globale për drithërat, vajrat e gatimit, karburantet dhe plehrat.
Moska ka mohuar përgjegjësinë për krizën ushqimore, duke fajësuar sanksionet perëndimore për ngadalësimin e eksporteve./VOA