Pas thirrjes së fortë që kryeministri Edi Rama i bëri SPAK në Asamble për të hetuar Sali Berishën, të njëjtën gjë ka bërë edhe Ministri i Drejtësisë ditën e sotme në KLGJ.
Në konferencën e quajtur “Drejtësi në Kohë sfidash” Ministri Manja tha se në drejtësinë shqiptare ka pasur arritje të mëdha që hapin rrugë për integrimin në Bashkimin Evropian, por megjithatë ka edhe nga ato që lënë për të dëshiruar ku ka përmendur Berishën të cilin e quan “elefantin në mes të dhomës së drejtësisë së re”
Në lidhje me çështjen e shpalljes ‘non-grata’, Manja tha se nuk është një problem i Amerikës por i Shqipërisë dhe se shiptarët meritojnë të dijnë të vërtetën në lidhje me këtë çështje. Ai tha se Berisha nuk është thirrur ndonjëherë nga organet e drejtësisë për vrasjen e katër qytetarëve në bulevard, as për shpërthimin e municioneve në Gërdec që mori jetë njerëzish e as për të tjera skandale korruptive marramendëse
Deklarata e Ministrit Manja:
“Tema e kësaj konference është “Drejtësi në Kohë sfidash” dhe mendoj se sot, kjo ditë, 9 Maji, apo ndryshe Dita e Evropës, ka ardhur me një peshë të re. Sepse Evropa prej më shumë se dy muajsh ndodhet përballë një sfide të jashtëzakonshme, e cila ka ngritur plot hamendje dhe një shqetësim të madh, për të tashmen e për të ardhmen, lufta Rusi-Ukrainë.
Ku ndodhet Shqipëria në këtë përplasje të madhe të demokracisë me një stuhi pushtimi ushtarak në gjirin e Europës?
Jemi të rreshtuar në anën e demokracise, krah për krah Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.
Duam që lufta të mbarojë dhe paqja të triumfojë.
Dhe duke reflektuar për paqen, çmimin e të cilës sot që të gjithë e vlerësojmë edhe më mirë besoj, nën dritën e asaj lufte të përgjakshme, peshon sot edhe më shumë ajo fjala e Papa Gjon Palit II, “Paqja kërkon katër kushte thelbësore; të vërtetën, dashurinë, lirinë dhe drejtësinë”.
E ku jemi ne sot me drejtësinë?
Do të më falni që nuk do të rreshtoj këtu arritjet. Që nuk janë te pakta po të kemi parasysh se ku ishim deri para disa vitesh. Jam i bindur që këtë do ta bëjnë të tjerë këtu. Sepse mund të flitet vërtetë shumë për risitë dhe dobitë e Reformës në Drejtësi. Mund të flitet sot për dobinë dhe potencialin e madh të institucioneve të reja të drejtësisë. Por këtu unë dua të them dy fjalë për elefantin në mes të dhomës së drejtësisë së re, si i thonë fjalës.
Ai zotëria i shpallur “non grata”, si kalorës i korrupsionit dhe kundër demokracisë nga aleati jetik i vendit dhe kombit tonë, nuk është problemi i Amerikës, por i Shqipërisë. Shqiptarët meritojnë të dinë si qëndron drejtësia e re në raport me këtë çështje të rëndë për shtetin shqiptar, të cilën Qeveria Amerikane e ka thënë shumë qartësisht se u takon institucioneve shqiptare ta hetojnë dhe ta gjykojnë!
Zotëria është i famshëm për karshillëkun e tij ndaj ligjit dhe organeve të drejtësisë, të cilave u ka përplasur deri edhe derën në fytyrë, duke penguar ekzekutimin e urdhërave të tyre pas vrasjes së katër qytetareve në bulevard. Nuk është thirrur megjithatë kurrë nga organet e drejtësisë, as për ato vrasje, as gjithë atë shpërthim kriminal municionesh që hodhi në erë qindra shtëpi e mori dhjetra jetë njerëzish, as për të tjera skandale korruptive marramendëse, ku mbiemri i tij ka qenë qershia mbi tortën e babëzisë!
Madje mund të them, meqë kemi dhe titullin e konferencës të tillë, ai jo vetëm nuk është pyetur kurrë nga organet e drejtësisë deri më sot, por e sfidon vetë sensin e drejtësisë, duke anatemuar deri institucionet e reja të drejtësisë.
Unë vërtetë kam një karrierë të tërë në prokurori, po këtu as nuk po bëj prokurorin, as po ngre akuza! Nuk po bëj as gjykatësin dhe as po shpall fajtorë. Por po bëj hapur, troç, me zë të lartë, atë pyetje që bëjnë shqiptarët prej kaq shumë vitesh dhe sot edhe më shumë se dje, qëkur ndodhi shpallja “non grata” e Sali Berishës:
Ore kur do hapen nga drejtësia e re petët e lakrorit të këtij njeriu që e ka pasur okllainë e pushtetit në dorë kur kanë ndodhur gjëmat dhe skandalet më të mëdha në këtë vend?! Nëse është i pafajshëm siç ulërin me të madhe, dhe një dynja e gjitha, bashkë me vetë shtetin amerikan kanë lajthitur deri në pikën që t’i bien në qafë një plaku qelibar, atëherë le të na e thotë pra drejtësia e re këtë!
Të hetohet roli i tij në 21 janar, të hetohet roli i tij në Gërdec, të hetohet roli i tij në aferat e bujshme të Çez/Dias, apo klubit Partizani, të hetohen edhe burimet financiare të djalit të tij, që atje në Amerikë është bërë edhe personazh filmash e librash… dhe nëse në të gjitha këto punë që nuk duken hiç të bardha, zotëria del i larë, hajde t’i kërkojmë falje dhe t’i kërkojmë edhe Amerikës t’i kërkojë falje!
Po jo kështu; nisen hetime kryesisht për personazhe dytësore e tretësore dhe nuk preken me dorë kallzimet për kryepersonazhin e tragjedive e dramave më të mëdha të këtyre tridhjetë vjetëve, që vazhdon sjell vërdallë jetën publike shqiptare si ata gangsterët e Hollivudit!
Kjo nuk i bën asnjë nder drejtësisë dhe më keq akoma, e minon besimin tek drejtësia e re!
Nëse ne do të donim që drejtësia të merrej me ata që vjedhin qindarkat e qytetarëve në urbanet e Tiranës, apo me 10 mijë-lekëshat e rryshfetit të nënpunësve në sportelet e shtetit, që sapo i mbyllëm perfundimisht, dhe jo me kokat e korrupsionit, atëherë pse duhej të bënim Reformën në Drejtësi, këtë super-ndërrmarrje ku u angazhuan me të gjitha forcat edhe aleatët tanë strategjikë?!
Kishim drejtësinë e vjetër që e qante me lot dënimin e atyre që s’kishin t’u paguanin rryshfete gjykatësve!
Nuk po kërkoj këtu asgjë më shumë se sa DREJTËSI, të barabartë për të gjithë dhe flas me kokën lart, duke ju parë drejt e në sy, sepse flas në emër të një force politike në qeveri, që ia ka hapur derën organeve të drejtësisë së re për të hetuar të madh e të vogël në oborrin e saj! Jo vetëm kaq, po flas ne emer të një force politike, që është vendosur në anën e drejtësisë, duke e udhëhequr reformën dhe duke u bërë garante e saj, me fuqinë e shembullit të saj!
Po ne nuk mund ta kemi më gojën vetëm për t’ju thënë bravo kur goditen njerëz të lidhur me forcën tonë qeverisëse, sepse u bënë afro 5 vjet që Vetingu nxjerr nga sistemi prokurorë e gjykatës të korruptuar dhe ne presim. Madje aq shumë ka nxjerrë sa kemi probleme të paparashikuara me boshllëqet në gjykata. Por për çfarë sensi drejtësie flasim kur ata që e kthyen drejtësinë në pazarin e gjësë së gjallë, që u majmën duke nxjerre kriminelë nga burgjet dhe duke gllabëruar pronat e të tjerëve, sot vazhdojnë të patrazuar jetën e tyre prej pasanikësh!
Ku është drejtësia e re me kërkesën e shkruar edhe nga Bashkimi Europian që të korruptuarit e djegur nga Vetingu të japin llogari para drejtësisë?
E çuditshme dhe e neveritshme në fakt, që këta që nuk justifikojnë miliona euro pasuri si rrogëtarë të shtetit, janë akoma sot të padukshëm e të paprekshëm, ndërsa një qytetar i zakonshëm që shkel ligjin, hetohet me rrënjë e me degë dhe dënohet pa hezitim!
Unë nuk di ta shpjegoj këtë ngurrim zvarritës, po di që pa u dënuar ujqit e drejtësisë së vjetër, çakejtë do të vazhdojnë të bëjnë kërdinë nën hundën e drejtësisë së re! Kam dyshimet e mia që burojnë nga simbioza e hershme mes eksponentëve të caktuar të drejtësisë me politikanët e vjetër që kanë dominuar dhe dominojnë akoma shpirtrat e ndrydhur, por nuk dua ta besoj dot se frika e vjetër ka gjetur fole edhe në shpirtin e drejtësisë së re!
Le të shpresojmë se është vetëm çështje kohe zgjerimi i spektrit të goditjeve të drejtësisë së re. Unë e besoj këtë.
Të nderuar kolegë
Ne jemi ftuar sot këtu nga KLGJ dhe unë si Ministër i Drejtësisë nuk besoj se e teproj aspak duke i shprehur zonjës Naureda Llagami konsideratat më të larta për punën e saj në krye të KLGJ. Respekte e nderuar zonjë dhe përgëzime anëtarëve të këtij institucioni për përballimin me sukses të fazës së ngritjes së institucionit në lartësinë e detyrës së vështirë.
Besoj që KLGJ, KLP, ILD, PP, SPAK, BKH dhe ILDKPI, duhet të nisin të veprojnë pa humbur asnjë minutë kohë edhe si institucione kontrolli dhe llogari-kërkimi me qëllim që drejtësia e re të mos zhgënjejë pritshmëritë e shqiptarëve, me veprimet e mosveprimet e tyre.
Gjyqtarët e prokurorët nuk mund të jenë e të veprojnë si Robinsona që gjuajnë secili me kallamin e tyre, aq më pak mund të jenë organet e drejtësisë si ishuj hermetikë ku ndalohet të hyjë drita e transparencës.
Jo vetëm vetingu, por paralelisht me të roli i ILD në kontrollin dhe llogari-kërkimin nga sistemi mbetet thelbësor, ndërkohë që duhet koordinim dhe bashkëpunim solid i të gjitha institucioneve të drejtësisë, duke shmangur koorporatizmin e deridjeshëm dhe reaguar me vendosmëri ndaj reflekseve të vjetra të sistemit.
Institucionet kushtetuese të vendit dalë-ngadalë do të duhet të marin frenat e Vetingut të vazhdueshëm mbi sistemin e drejtësisë së re, pasi organet e Vetingut si proces i përkohshëm ta mbyllin punët e tyre.
Nëse flasim për sfida, në prag të hapjes zyrtare të negociatave, me një qeveri që detyrat e veta i ka kryer e tejkaluar përpara qytetarëve të saj, me partnerë dhe miq që na gjenden pranë pa ekuivok, këto që rendita pak më lart, janë sfidat e vërteta, reale, moskapërcimi i të cilave mund ta dëmtojë jashtëzakonisht shumë drejtësinë dhe vetë Shqipërinë.
Kemi sfidën e plotësimit të vakancave në organet e sistemit të drejtësisë, kemi përfundimin e hartës gjyqësore, kemi punën për digjitalizimin e drejtësisë, kemi stokun e dosjeve që presin gjykimin në apel dhe në GJL, kemi thellimin e luftës kundër korrupsionit, që në pak muaj nga ngritja e Drejtorisë Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë ka sjellë disa rezultate komplementare inkurajuese, etj.
Ne të qeverisë kemi vullnetin, kemi aftësitë, kemi pasionin për të kapërcyer vështirësitë. Ju jeni këtu pikërisht sepse presupozohet që duhet t’i keni edhe vullnetin, edhe aftësitë, edhe pasionin për t’i kapërcyer sfidat e drejtesisë së re. Naureda është një shembull për këtë dhe fatmirësisht jo i vetmi. Njoh plot nga ju këtu dhe ua di vlerën profesionale si edhe pozitivitetin njerëzor. Por sfida e sfidave është që i gjithë sistemi të ecë në sinkron, me asgjë tjetër, përveçse me drejtësinë. Me ligjin dhe me drejtësisë!
Ndryshe, nëse nuk ecet në sinkron, nëse disa mendojnë se mund të luajnë kukamçefthi me të ardhmen e vendit, apo harrojnë se këtu nuk janë ndërruar (vetëm) emërtimet e institucioneve, atëhere kjo do të jetë e dëmshme dhe do të na çojë në konfrontim të hapur.
Ne nuk jemi të gatshëm të tradhëtojmë shpresat e shqiptarëve, duke i justifikuar zvarritjet, apo pengesat që vetë njerëzit ia krijojnë drejtësisë.
Ne as kemi ndërhyrë, e as do të ndërhyjmë kurrë në vendimet e drejtësisë, por nuk jemi as të verbër, as të shurdhër dhe nuk mund të jemi as memecë. (U kërkoj ndjesë persanave më aftësi të kufizuara për termat që po përdor. Si gjithmonë do të kenë respektin tim maksimal).
Ne po kërkojmë dhe do të kërkojmë drejtësi të gjithanshme.
Ne duam vetëm një gjë: Drejtësia të bëjë drejtësi, me drejtësi.
Ju falënderoj për vëmendjen