Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se autoritetet në Prishtinë po demonstronin forcë dhe se ata kishin interpretuar sipas dëshirës së tyre Marrëveshjen e Brukselit kur njoftuan për zbatimin e reciprocitetit për targat e automjeteve.
Vuçiç e përshkroi situatën në Kosovë si “një nga ditët më të vështira për popullin serb në Kosovë”.
Autoritetet në Kosovë më 20 shtator nisën aplikimin e masës së reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia, duke thënë se një vendim i tillë nuk është ndërmarrë kundër serbëve, por është imponuar nga Serbia. Por, serbët janë grumbulluar në afërsi të pikave kufitare në veri të Kosovës, duke bllokuar rrugët në shenjë pakënaqësie.
“Nuk bëhet fjalë për ndonjë dramatizim, por situata është shumë serioze dhe e vështirë”, tha presidenti i Serbisë, duke shtuar se “është e vështirë të arrihen zgjidhje racionale, me ata që sillen në mënyrë të papërgjegjshme”.
Ai tha se ka diskutuar për situatën me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrel. Vuçiq paralajmëroi që nesër do të thrrasë një mbledhje të Këshillit të Sigurisë së Serbisë.
“Shpresoj se nuk do të na duhet të marrim masat tona, si ekonomike ashtu edhe politike, sepse kjo nuk do të ishte mirë për të gjithë rajonin, veçanërisht për marrëdhëniet tona me Prishtinën”, tha Vuçiç, derisa porositi serbët të mos bien pre e provokimeve, të protestojnë në paqe dhe pa incidente.
/Burimi: REL/