Pas tre ditësh mbyllje nga i ftohti ‘polar’, sot rihapen shkollat/ Kushi: Temperaturat ishin jo të zakonshme për Shqipërinë

Pas tre ditësh të mbyllura si pasojë e të ftohtit polar, shkollat janë rihapur ditën e sotme në të gjithë vendin.Ministria e Arsimit vendosi ditën e premte që të pezullojë mësimin duke nisur nga dita e hënë, deri të mërkurën, pasi parashikoheshin temperatura ekstreme të motit.

Vendimi në fjalë përfshinte të gjithë arsimin parauniversitar në vend, publik dhe privat.

Ndërkohë, për kopshtet dhe çerdhet iu la vendimi bashkive përkatëse. Përballë këtij vendimi, ministrja e Arsimit pranoi publikisht se në disa shkolla mungesa e ngrohjes ishte një ndër arsyet që ato u kyçën përgjatë tri ditëve.

Ishte ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ajo që shoi të gjitha dyshimet në një dalje mediatike pas mbledhjes së djeshme të qeverisë, duke thënë se nga sot shkollat do t’i rikthehen normalitetit. Nga ana tjetër, la të hapur mundësinë e përsëritjes së një skenari të tillë në vazhdim, në rast të përsëritjes së temperaturave ekstreme.

Për herë të parë, e para e Arsimit pranon se mungesa e ngrohjes në shkolla ishte një ndër arsyet që ato u kyçën përgjatë tri ditëve, duke saktësuar se kjo nuk ishte arsyeja e vetme e mbi të gjitha këtë model e ndjekin edhe shtete më të përparuara që i kanë të gjitha kushtet për t’i mbajtur institucionet arsimore hapur.

“Të gjithë nxënësit dhe mësuesit do të kthehen në shkolla, pasi sipas parashikimeve të motit, do të ketë përmirësim të temperaturave. Temperaturat ishin jo të zakonshme për një vend si Shqipëria. Kjo nuk është një gjë që ndodh vetëm në Shqipëri. Ju jeni informuar që edhe Greqia i mbylli shkollat ditën e hënë për shkak të temperaturave; edhe Turqia ka bërë të njëjtën gjë. Arsyeja nuk ka qenë vetëm problematika e ngrohjes në shkolla, por ne duhet të kujdesemi dhe kemi përgjegjësi për nxënësit që nga momenti që nxënësit dalin nga shtëpia. Pra, edhe nëse ka rreziqe gjatë rrugës për shkak të ngricave apo për shkak të reshjeve, natyrisht ne duhet të marrim masa”.

E pyetur se pse nuk u mbyllën çerdhet dhe kopshtet, Kushi shtoi se ato janë në varësi të bashkive dhe vendimet për to i takojnë pushtetit vendor.

“Natyrisht, ju e dini shumë mirë që bashkitë mund të marrin vendime për kopshtet, por nga ana tjetër, prindërit nuk janë të detyruar t’i çojnë fëmijët e tyre nëse moti është me temperatura shumë të ulëta”, tha ministrja, duke “harruar” që edhe prindërit, sikundër ajo vetë, janë në një marrëdhënie pune, e cila nuk mund të shkëputet sipas kapriçove të motit. Gjithsesi, ministrja nuk përjashtoi mundësinë e një mbylljeje të dytë nëse temperaturat prekin ekstremet e kësaj fillimjave.

“Ndërkohë që shkolla ka një program dhe nxënësit kanë një detyrim që nëse mungojnë pa arsye, ka pasoja të tjera. Shpresojmë që kushtet atmosferike të mos na ofrojnë surpriza të tjera të tilla që ne të detyrohemi të mbyllim përsëri shkollat”.

Kjo nuk është hera e parë që institucionet arsimore “dorëzohen” në dimër, por është e para herë që vendimi pritet me pakënaqësi e protesta, pasi u përkthye si paaftësi e pushtetit për të siguruar kushtet minimale për të mbajtur hapur shkollat.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *