Kryeministri, Edi Rama pritet të vizitojë këtë të dielë familjen e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit.
Burime për median bëjnë me dije se i pranishëm me Ramën do të jetë ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ajo e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, Mirela Kumbaro e Turizmit dhe Mjedisit, si edhe Elisa Spiropali, ministre për marrëdhëniet me parlamentin. Sakaq vizita e kryeministrit pritet të ndalet edhe në disa biznese në Kosovë.
Në orën 17:00, Rama do të jetë në Xërxë në një fabrikë mielli, ku do të bisedojë me rreth 500 fermerë, ndërsa në 17:45, do ta vizitojë një fabrikë dyshekësh në Gjakovë. Pasi të ketë mbaruar takimet me punonjësit në këto biznese, Rama pritet të shkojë në Burojë, te familja e ish-presidentit Hashim Thaçi.
Ndërsa të hënën në Prishtinë, Rama dhe Kurti do të zhvillojnë takimin e radhës të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë.