Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zbritur në terren pas dorëzimit të dosjeve në KQZ për rezultatin e 25 prillit, ku kërkuan përsëritjen e zgjedhjeve në 9 qarqe të vendit.
Basha ka vizituar qytetin e Durrësit sot, ku zhvilloi një takim me strukturat e Partisë Demokratike. Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati tha se rezultati i zgjedhjeve nuk do të njihet kurrë. Ai e ka cilësuar këtë si sfidë me drejtësinë e re dhe tha se PD-ja do të dokumentojnë deri në fund provat e masakrës elektorale dhe se do ta vazhdojë betejën.
Pjesë nga deklarata:
Është e qartë si ky diell që shndrin që ky rezultat nuk do të njihet kurrë dhe për kë mendon se 25 prilli është mbarimi i betejës tonë për t’u siguruar durrsakëve dhe të gjithë shqiptarëve të ardhmen që meritojnë në vend të masakrës mbi demokracinë, mbi familjet e tyre, mbi bizneset e tyre, mbi të ardhëm e tyre e ka gabim. Beteja jonë vazhdon dhe do të vazhdoje deri në përmbysjen e regjimit Rama-Doshi.
Prej më shumë se një viti i kemi vënë në dispozicion institucioneve ndërkombëtare, institucioneve të drejtësisë së re, fakte konkrete mbi të gjithë dhunimet dhe krimet zgjedhore të Partisë Socialistë, të Edi Ramës, të kupolës drejtuese dhe faktorëve të krimit të organizuar. Mbi 180 kallëzime të tilla janë depozituar në SPAK dhe prokuroritë anë e mbanë vendit.
Kjo është një sfidë për drejtësinë e re, kjo është një sfidë për institucionet zgjedhore ku dje janë depozituar kërkesat për pavlefshmërinë në 9 qarqe dhe rivotimin në 9 qarqe. Është e njëjta KQZ dhe i njëjti KAS i cili me urdhër të Edi Ramës prishi fletën e votimit, pasi prishën Kushtetutën dhe pasi miratuan në mënyrë anti-Kushtetuese ndryshimet e 5 tetorit.
Por ne do të dokumentojmë deri në fund provat e masakrës elektorale dhe do ta vazhdojmë betejën tonë në çdo hapësirë me çdo mundësi, me të gjitha forcat dhe mjetet tona. Një gjë është e sigurt. Fundi i kësaj beteje është një dhe vetëm një, përmbysja e këtij regjimi dhe vazhdimi i betejës tonë për ta çuar Shqipërinë dhe shqiptarët drejt së ardhmes që meritojnë.
Shqipëria nuk është e regjimit Rama-Doshi, kjo është Shqipëria jonë, kjo është Shqipëria juaj e qindra mijëra shqiptarëve që na ndoqën dhe na besuan me votën e tyre. Mbi 680 mijë vota duke përfshirë edhe ato që pavleftësoi marifeti i fletës së votimit, janë votat e shqiptarëve të pastër të shqiptarëve që as nuk u shantazhuan as nuk u blenë, as nuk u frikësuan, as nuk u intimiduan, por ecën përpara për veten e tyre, për familjet e tyre, për të ardhmen e tyre por duke besuar tek forca, fuqia e Partisë Demokratike dhe koalicionit tonë.
Çfarë do të bëjmë? Do t’i lëmë në mes të rrugës këta njerëz? Do tu themi që ne e bëmë tonën dhe kaq ishte? Për ata që thonë, që na bëjnë me faj, që na llogarisin si gabim, që nuk bëmë dhe ne aleancë me bandat, po ju them fare qartë. Për Partinë Demokratike, opsioni i bashkëpunimit me krimin është dhe do të jetë zero. Sepse pushteti i marrë me krimin pjell vetëm krim.
Ne nuk e kërkuam pushtetin për veten tonë. Ne e dorëzuam pushtetin për t’u bërë njësh me qytetarët, bashkë me qytetarët, për të hapur një rrugë të re dhe një të ardhme më të mirë, dhe një të ardhme qytetare, normale, europiane për gjithë shqiptarët.
Ndaj, kështu do të vazhdojmë sepse për ne pushteti nuk është një mjet për të akumuluar grupe kriminale dhe para, dhe pastaj për të vjedhur e blerë votat por është një mjet për të përmirësuar jetën e qytetarëve, ndaj e them dhe njëherë, pushteti i marrë me bandat, pjell vetëm krim.
Ne do ta fitojmë këtë betejë duke bërë pikërisht të kundërtën, duke bërë gjithçka që ata të përfundojnë aty ku e kanë vendin dhe duke bashkuar të gjithë shqiptarët deri në përfundimin e pashmangshëm të kësaj beteje që është ndryshimi që presin dhe dëshirojnë të gjithë.
Të dashur miq! Ne jemi një shtëpi e madhe. Gjithkush ka mendimet, kontributin, investimet, sakrificën, të mirat, të metat dhe gabimet e tij apo të saj. Këtu pa diskutim, bëj pjesë edhe unë por një gjë na bashkon; vendosmëria për të vazhduar për t’i shërbyer këtij vendi dhe këtyre njerëzve. Një gjë është e qartë, që ju keni patur dhe keni përgjegjësinë dhe mundësinë për të vendosur kush ju përfaqëson dhe kush ju drejton. E keni patur në të kaluarën dhe do ta keni përsëri shumë shpejt por ndërsa ju them këtë, po ju them që nuk ka në shtëpinë tonë asnjë të tepërt. Mendimet, idetë konstruktive, kritikat konstruktive vetëm na ndihmojnë dhe ne duhet t’i mirëpresim.
Megjithatë, gjëja më e rëndësishme tani është të vazhdojmë betejën. Të vazhdojmë betejën, të cilën me 25 prill, Edi Rama, Rrajat Cyrbet, Ndraxhët, Doshët, Rakipët me shokë, menduan se e mbyllën.
Jo! Me 25 prill ata mbyllën vetëm një mundësi për ndryshimin që do të sillte vota plebishitare e shqiptarëve, të cilët duan një të ardhme më të mirë, por beteja do të vazhdojë. Shqiptarët do ta kenë një të ardhme më të mirë. Beteja jonë do të vazhdojë derisa kjo e ardhme më e mirë për shqiptarët, të bëhet realitet! Në çdo fushë, në çdo formë, në çdo mënyrë!
Ne jemi më të bashkuar dhe më të vendosur se kurrë! Ndërsa ju kapitenë të kësaj beteje, që përfaqësoni mijëra e mijëra të tjerë, që zgjuan shpresën, që shkundën nga plogështia një popull të tërë, mbajeni kokën lart siç e mbani sot, në çdo moment, deri në përfundimin me fitore të kësaj beteje!
Betejë që do ta bëjmë për të gjithë, për të rinjtë dhe për të rejat, për prindërit tanë, për gratë dhe për burrat e këtij vendi, për të moshuarit e këtij vendi, nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, deri në rrëzimin e regjimit Rama-Doshi, deri në triumfin e Shqipërisë dhe të ardhmes së saj!
Dhe mos të harrojmë për asnjë çast fillimin e kësaj beteje, sakrificat tona! Dhe ju ftoj të mos harrojmë për asnjë çast, se ata që presin prej nesh nuk janë thjesht dhe vetëm demokratët, që dua t’i falënderoj nga zemra kudo ku ndodhen. Kam marrë me mijëra mesazhe prej tyre për të mos u dorëzuar, për të vazhduar betejën dhe ju them sot, nuk dorëzohemi, do ta vazhdojmë deri në fitore! Si dhe i falënderoj ata qindra apo mijëra të tjerë që nuk kam patur mundësinë t’iu përgjigjem deri më sot.
Por beteja nuk po bëhet, siç ju kam thënë dhe në fillim të fushatës, për Partinë Demokratike, as thjesht për partitë e tjera të koalicionit tonë. Beteja po bëhet për të ardhmen e Shqipërisë, ndaj nuk do të cedojmë asnjë milimetër, nuk do të humbasim asnjë sekondë, nuk do të lëmë asnjë mjet, asnjë forum dhe asnjë copëz energji dhe fuqi, pa përdorur, derisa ëndrra e shqiptarëve për ndryshim, ta bëjmë realitet, derisa Shqipëria të jetë e sigurt drejt të ardhmes më të mirë, për të cilën investoi fuqishëm me 25 prill, ëndërr të cilën kemi detyrimin ta bëjmë realitet, me gjithë forcën tonë të përbashkët. Ju falemnderit!