Një fluturim për në Heathrow të Londrës u detyrua të kthehej në Delhi, Indi këtë mëngjes pasi një pasagjer ka sulmuar stjuardesën dhe i ka shkulur flokët, për t’u përleshur më pas me pjesën tjetër të ekuipazhit.
Sipas Daily Mail, disa minuta pas ngritjes, burri sulmoi një stjuardesë dhe filloi ta tërhiqte prej flokësh. Pasagjeri (për arsye ende të panjohura) sulmoi edhe anëtarët e tjerë të ekuipazhit që u përpoqën të ndihmonin kolegen e tyre dhe ta qetësonin atë.
Piloti përfundimisht vendosi të kthehej në Aeroportin Ndërkombëtar Indira Gandhi në Delhi dhe policia, e cila ishte alarmuar, e arrestoi atë dhe e largoi nga avioni.
“Fluturimi i Air India AI 111 i planifikuar për të kryer Delhi-London Heathrow më 10 prill 2023 u kthye në Delhi menjëherë pas nisjes për shkak të sjelljes së padisiplinuar të një pasagjeri në bord. Duke shpërfillur paralajmërimet verbale dhe me shkrim, pasagjeri vazhdoi sjelljen e tij të padisiplinuar, duke përfshirë edhe shkaktimin e lëndimit fizik të dy prej ekuipazhit të kabinës. Kapiteni vendosi të kthehej në Delhi dhe pasagjeri iu dorëzua personelit të sigurisë në ulje”, ka thënë një zëdhënës i Air India.
“Ne po ofrojmë të gjithë mbështetjen e mundshme për anëtarët e ekuipazhit që u bënë viktima të sulmit. Na vjen keq për shqetësimin e shkaktuar pasagjerëve dhe kemi riplanifikuar fluturimin”, shtoi kompania në deklaratën e saj.