Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka ka lajmëruar se do të heqë dorë nga drejtimi i partisë. Kjo deklaratë erdhi pasi PDK-ja nuk arriti të merrte asnjë mandat për në Kuvend. I ftuar në Top Talk në Top Channel, Ndoka tha se në shtator do të mblidhet kryesia e PDK-së dhe do të zgjidhet kryetari i ri.
“Unë e konsideroj mision të mbyllur, pasi i besova verbërisht Bashës. Edhe nëse opozita do të ishte fituese, prapë do ta bëja. Në shtator-tetor do mblidhet kongresi dhe do të zgjidhet kryetari i ri”, u shpreh ai.
Në lidhje me koalicionin me PD-në në zgjedhjet e 25 prillit, Ndoka ka thënë se i besoi Bashës, dhe se kjo është e pafalshme.
“I besova të ardhmen e PDK-së Bashës dhe kjo është e pafalshme për mua. Faji është imi, sepse i besova verbërisht Lulzim Bashës“, tha Ndoka.
I pyetur nëse do të mund të kthente kohën pas, a do t’i besonte Bashës, Ndoka ka thënë se nuk do e bënte pasi do të ishte e pafalshme.
“Jo, nuk do ta bëja, nuk do t’i besoja, do të ishte e pafalshme“, përfundoi Ndoka.