Banka Qendrore Europiane (ECB) rriti normat e interesit me gjysmë pikë përqindje ditën e sotme, si shenjë shqetësimi kundrejt normave të larta të inflacionit, të cilat do të mbeten të tilla pavarësisht rënies së çmimeve të energjisë së fundmi.
Rritja e shumëpritur e çoi normën bazë të depozitave të ECB në 2.5 për qind, niveli i saj më i lartë që nga kriza financiare globale. Banka qendrore ka rritur tani kostot e huamarrjes me plot tre pikë përqindje, që kur filloi rritja e normave në korrik.
Lëvizja e ECB-së pasoi një rritje gjysmë pikë nga Banka e Anglisë dhe një rritje me çerek pikë të mërkurën nga Rezerva Federale e SHBA.
Fed ka ngadalësuar ritmin e kufizimeve pas shenjave se tensionet për çmimet në SHBA po zhduken, ndërsa kryetari Jay Powell ka dhënë shpresë këtë javë se inflacioni mund të kthehet në objektivin prej 2 për qind të bankës qendrore pa “një rënie vërtet të madhe ekonomike”.
Por ECB sinjalizoi vendosmërinë e saj për të vazhduar me shtrëngime agresive, duke thënë në deklaratën e saj se do të “ruajë drejtimin e marrë” dhe synon të rrisë normat e interesit me 50 pikë bazë në takimin e saj të ardhshëm të politikës monetare në mars, pas së cilës do të “analizojë drejtimin e mëtejshëm të politikës së saj monetare”./Financial Times